Bashkia e Belshit përfundon projektin për turizëm të qëndrueshëm, Kryetari Arif Tafani: Synojmë ta vendosim bashkinë në pozicion të preferuar në hartën turistike të Shqipërisë

BELSH, 18 shtator 2026 /Albania Express News/ – Bashkia Belsh ka përmbyllur me sukses projektin “Improving Belsh Municipality integrated services for sustainable tourism”, një nismë dyvjeçare e financuar nga Programi IADSA dhe e zbatuar në partneritet me Shoqatën “Tjetër Vizion”, CIES ETS dhe Universitetin e Elbasanit.

Në aktivitetin e zhvilluar në këtë qytet , kryetari i Bashkisë, Arif Tafani, vlerësoi projektin si një shembull konkret të bashkëpunimit institucional dhe të partneritetit shqiptaro-italian, duke theksuar se rezultatet e tij synojnë të krijojnë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe turistik të territorit.

Në prani të Drejtorit të Zyrës Ekonomike pranë Ambasadës së Republikës së Italisë në vendin tonë z.Mario De Rosa  , të zv .Ministrit të Financave z.Endrit Yzeiraj ,përfaqësuesve të IADSA-s, institucioneve, organizatave partnere, ekspertëve dhe qytetarëve të Belshit, z.Tafani deklaroi se gjatë 24 muajve të zbatimit të projektit është punuar për përmirësimin e shërbimeve turistike, promovimin e territorit, përdorimin e mjeteve inovative dhe digjitale, si dhe forcimin e mundësive për komunitetin lokal.

“Belshi është një territor që po zhvillohet jo vetëm duke ndërtuar objekte, por duke investuar tek njerëzit”, u shpreh Tafani, duke vënë theksin te roli i të rinjve, grave, sipërmarrësve, fermerëve dhe aktorëve të tjerë lokalë në zhvillimin e turizmit.

Sipas tij, objektivi i Bashkisë Belsh është që turizmi të mos kufizohet vetëm te rritja e numrit të vizitorëve, por të shndërrohet në një burim të qëndrueshëm punësimi, të ardhurash dhe sipërmarrjeje për banorët.

Kulla Panoramike, një pikë e re referimi për vizitorët

Një nga rezultatet e projektit është edhe rivitalizimi i Kullës Panoramike të Belshit, e cila rikthehet në funksion me një rol të rëndësishëm në promovimin e potencialeve turistike të qytetit dhe të gjithë territorit të bashkisë.

Nga kjo pikë, vizitorët mund të shijojnë panoramën e liqeneve, peizazhit dhe natyrës së Dumresë, duke e kthyer kullën në një pikë orientimi dhe promovimi të destinacionit.

Por, siç theksoi kryebashkiaku Tafani, synimi është që vizitori të mos ndalet vetëm te panorama.

“Ne duam që ai të zbulojë në çdo detaj Belshin, të njohë traditat tona, të provojë produktet tona, të vizitojë fermat dhe sipërmarrjet lokale, të qëndrojë më gjatë dhe të rikthehet përsëri”, deklaroi ai.

Strategjia e Turizmit, orientim për zhvillimin e ardhshëm

Një tjetër rezultat i rëndësishëm i projektit është Strategjia e Turizmit të Bashkisë Belsh, e cila synon të krijojë një orientim më të qartë për zhvillimin e sektorit në vitet e ardhshme.

Strategjia vendos në fokus një model turizmi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, të lidhur me komunitetin dhe që respekton natyrën, promovon trashëgiminë lokale dhe mbështet ekonominë e zonës.

Sipas Bashkisë, synimi është që potencialet natyrore, bujqësore dhe kulturore të Belshit të lidhen më ngushtë me sipërmarrjen lokale dhe industrinë turistike.

IADSA, një partneritet që ka sjellë edhe rezultate për fermerët

Gjatë fjalës së tij, Tafani veçoi edhe bashkëpunimin e mëparshëm me IADSA, përmes të cilit është realizuar pika e grumbullimit të produkteve bujqësore.

Objekti është tashmë funksional dhe në shërbim të fermerëve që prodhojnë rigon dhe bimë të tjera medicinale, duke përfaqësuar një tjetër shembull të lidhjes së investimeve me nevojat konkrete të ekonomisë lokale.

“Ne kërkojmë nga çdo partneritet që të lërë pas rezultate konkrete dhe mundësi të reja për njerëzit”, theksoi kryetari i Bashkisë Belsh.

Në aktivitet, Tafani shprehu mirënjohjen për Qeverinë Italiane dhe IADSA-n për mbështetjen ndaj Bashkisë Belsh, ndërsa vlerësoi kontributin e Shoqatës “Tjetër Vizion”, CIES ETS, Universitetit të Elbasanit, ekspertëve dhe të gjithë aktorëve të përfshirë në zbatimin e projektit.

Belshi synon një model të ri zhvillimi turistik

Në përfundim, kryetari i Bashkisë Belsh nënvizoi se për komunitetin lokal sfida tashmë është ruajtja e pasurive natyrore dhe trashëgimisë, ndërsa paralelisht vijon puna për zhvillimin ekonomik dhe turistik.

“Belshi nuk është vetëm një vend për t’u vizituar, por një vend ku njerëzit duan të rikthehen”, deklaroi Tafani, duke e cilësuar territorin si një hapësirë me potencial për zhvillimin e turizmit, bujqësisë dhe sipërmarrjes lokale.

Tafani theksoi se liqenet, peizazhi, biodiversiteti, toka bujqësore, produktet lokale dhe traditat, së bashku me komunitetin, përbëjnë bazën mbi të cilën Bashkia synon të ndërtojë një model të ri zhvillimi.

“Belshi është një qytet i vogël në përmasa, por i madh në potencial. Së bashku ne mund ta kthejmë këtë potencial në një të ardhme edhe më të mirë”, u shpreh Tafani.

Për Bashkinë Belsh, përmbyllja e projektit nuk shihet si fundi i bashkëpunimit, por si pikënisje për projekte të reja dhe një partneritet më të zgjeruar, me synimin për ta konsoliduar Belshin si një nga destinacionet turistike me potencial në Shqipëri.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Vijon në ditën e 114-të protesta para Kryeministrisë

TIRANË ,21 shtator 2026 /Albania Express News/-Qytetarët u mblodhën...

Zyrtare/ Goditje për Maranin, Pajaziti largohet nga grumbullimi, ftohet zyrtarisht Qefalia

TIRANË ,21 shtator 2026 /Albania Express News/-Një tjetër ndryshim...