10 miliardë lekë investime për ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet deri në vitin 2027, Ministri Andis Salla prezanton prioritetet në konferencën “ALBANIA WATER 2030”

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se mbi 3 miliardë lekë financohen çdo vit për infrastrukturën ujore në shërbim të bujqësisë. Modernizimi i sistemeve të ujitjes, rritja e kapaciteteve ujëmbledhëse dhe përballimi i ndryshimeve klimatike në fokus të konferencës ndërkombëtare.

TIRANË , 3 nëntor 2026 / Albania Express News /-Modernizimi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, mbrojtja e tokave bujqësore nga përmbytjet dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve ujore ishin në qendër të diskutimeve në konferencën ndërkombëtare “ALBANIA WATER 2030”, ku mori pjesë Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.

Gjatë aktivitetit, ku ishin të pranishëm edhe Ministri Jaupaj, Ambasadori i Spanjës, Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, përfaqësues të CIHEAM Zaragoza dhe ekspertë të fushës, u trajtuan sfidat që lidhen me përdorimin racional të burimeve ujore, përshtatjen e bujqësisë ndaj ndryshimeve klimatike dhe nevojën për investime afatgjata në infrastrukturën bujqësore.

Në fjalën e tij, ministri Salla bëri të ditur se për periudhën 2025–2027, investimet për ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet arrijnë në 10 miliardë lekë. Sipas tij, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural financon çdo vit mbi 3 miliardë lekë për këto tri fusha prioritare.

Salla theksoi se zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë nuk mund të mbështetet vetëm në ndërhyrje të pjesshme apo rehabilitimin e infrastrukturës ekzistuese, por kërkon një strategji të mirëfilltë, investime të vazhdueshme dhe vendimmarrje të bazuar në studime shkencore.

“Modernizimi i bujqësisë kërkon vizion afatgjatë, investime të qëndrueshme dhe politika të mbështetura në dije dhe ekspertizë shkencore. Çdo vit, financojmë mbi 3 miliardë lekë për këto tri fusha, me synimin për të përmirësuar shërbimin ndaj fermerëve dhe për të rritur qëndrueshmërinë e prodhimit bujqësor”, u shpreh ministri.


Investime për përballimin e ndryshimeve klimatike

Një nga çështjet kryesore të trajtuara në konferencë ishte ndikimi i ndryshimeve klimatike në sektorin bujqësor, veçanërisht alternimi i periudhave të thatësirës me reshjet intensive dhe rrezikun e përmbytjeve.

Në këtë kontekst, ministri Salla nënvizoi rëndësinë e rritjes së kapaciteteve ujëmbledhëse dhe orientimit drejt sistemeve moderne të ujitjes me presion, të cilat mundësojnë përdorimin më racional të ujit dhe rrisin eficiencën e prodhimit bujqësor.

Si shembuj konkretë të ndërhyrjeve në këtë drejtim, ai përmendi projektet e mbështetura nga Banka Botërore në Divjakë dhe në zonën Mursi–Konispol, si dhe investimet në sistemet e kullimit në Maliq dhe Torovicë.

Sipas tij, projektet e ardhshme duhet të bazohen në studime të detajuara shkencore, analiza të bilanceve ujore dhe zgjidhje teknologjike që marrin në konsideratë karakteristikat e veçanta të çdo territori.

Bashkëpunim më i ngushtë me Universitetin Bujqësor

Një tjetër drejtim i rëndësishëm i konferencës ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe komunitetit akademik.

Ministri Salla bëri të ditur se partneriteti me Universitetin Bujqësor të Tiranës synon të marrë një dimension më të strukturuar, duke përfshirë studime të përbashkëta, identifikimin e problematikave në terren, vlerësimin e alternativave teknike dhe monitorimin e rezultateve të investimeve.

Ky bashkëpunim synon të rrisë cilësinë e vendimmarrjes, të garantojë përdorimin më efikas të fondeve publike dhe të sigurojë që projektet infrastrukturore t’u përgjigjen nevojave reale të fermerëve dhe sektorit bujqësor.

“Së bashku me UBT po ndërtojmë një partneritet më të strukturuar, që të përfshijë studime të përbashkëta, identifikimin e problematikave në terren, vlerësimin e alternativave teknike dhe monitorimin e rezultateve të investimeve. Kjo do të na ndihmojë të marrim vendime më të sigurta, të përdorim me më shumë efikasitet fondet publike dhe të sigurojmë që politikat tona t’u përgjigjen nevojave reale të sektorit”, deklaroi ministri.

Uji, faktor kyç për të ardhmen e bujqësisë

Konferenca “ALBANIA WATER 2030” shërbeu si një platformë për shkëmbimin e eksperiencave dhe ekspertizës ndërkombëtare mbi sfidat e menaxhimit të ujit dhe përshtatjen e sektorit bujqësor me realitetet e reja klimatike.

Në përfundim të fjalës së tij, ministri Salla theksoi se investimet në infrastrukturën ujore dhe bashkëpunimi me institucionet shkencore janë thelbësore për rritjen e prodhimit bujqësor, forcimin e ekonomisë rurale dhe përmirësimin e kushteve të punës për fermerët.

“Kemi përgjegjësinë që potencialin bujqësor të Shqipërisë ta shndërrojmë në më shumë prodhim dhe mirëqenie për zonat rurale”, përfundoi ministri Salla.

Investimet e parashikuara për periudhën 2025–2027 synojnë të përmirësojnë infrastrukturën ujore dhe të krijojnë kushte më të qëndrueshme për zhvillimin e bujqësisë shqiptare, në një kohë kur menaxhimi i ujit po merr gjithnjë e më shumë rëndësi për sigurinë ushqimore dhe ekonominë rurale.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME