TIRANË, 26 prill 2026/Albania Express News/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Paketa e maleve” po hap një rrugë të re në zhvillimin rural dhe po krijon premisat për një vlerë të shtuar dhe një motor të ri në industrinë e turizmit.
Duke folur në podkastin “Flasim” për programin kombëtar të “Paketës së Maleve”, Rama theksoi se ky program ka filluar tanimë të formësohet përmes një numri mbresëlënës interesimesh dhe aplikimesh.
“Aplikimet vijnë në radhë të parë nga vëllezërit dhe motrat tona jashtë Shqipërisë, që falë këtij programi po e kthejnë kokën nga Shqipëria, jo thjesht për t’u interesuar siç kanë bërë gjithmonë për ecurinë e punëve apo për ecurinë e jetës në familjet e tyre, por për të investuar kursimet e tyre”, u shpreh Rama.
Rama vlerësoi se programi “Paketa e maleve” po i jep Shqipërisë malore një përmasë të re, përmes kthimit të tokës dhe të shtëpive të gjyshërve në instrumente të zhvillimit dhe në mundësi të reja reale për të krijuar sipërmarrje dhe të ardhura.
Procesi i aplikimit, sipas tij, është bërë i thjeshtë dhe i aksesueshëm.
“Investimi mund të nisë pa titullin përfundimtar të pronësisë. Për këtë është krijuar paketa e maleve, për të adresuar edhe një problematikë të mbartur nga vitet në territore të mrekullueshme ku pronarët legjitimë nuk gëzojnë titujt e pronësisë sepse nuk e kanë pranuar ligjin 7501 dhe ndërkohë nuk kanë konflikte mes tyre. Dhe përmes investimit ata do të mund të sigurohen se në fund të procesit, ku do të kenë edhe lehtësira domethënëse fiskale, për shembull, 500 të parët që do të marrin lejen për të filluar punën do të përjashtohen për 10 vjet nga taksat, ata do të kenë edhe titullin e pronësisë”, tha Rama.
Kryeministri i bëri thirrje të interesuarve për këtë program që të aplikojnë me bindjen se do të jenë të suksesshëm.
“Është pak, por e sigurt që në rast se do të hapni derën e shtëpisë së vjetër të gjyshit dhe do të rindizni oxhakun në atë shtëpi apo do të krijoni një fermë të vogël, një pikë agropërpunimi diku në një tokë që është larg territoreve të qyteteve, koha do të më japë të drejtë, do të na japë të drejtë dhe ju do të jeni të lumtur me atë hap që hidhni sot. Sepse investimi do t’ju kthehet në mbarësi dhe në mirësi për familjet tuaja, por në të njëjtën kohë do të jetë edhe një kontribut për Shqipërinë”, tha Rama.

