TIRANË , 22nëntor 2026/Albania Express News/-22 nëntori është Dita e Alfabetit Shqip, një nga datat më të rëndësishme në historinë kombëtare.
Dita e Alfabetit Shqip nderon Kongresin e Manastirit, i cili u mbajt 118 vjet më parë, duke hedhur themelet e alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe.
Kongresi i Manastirit u zhvillua nga 14 deri më 22 nëntor 1908, në qytetin e Manastirit, sot, Bitola në Maqedoninë e Veriut. Në këtë ngjarje historike morën pjesë delegatë nga trevat shqiptare dhe diaspora, të cilët u mblodhën për të diskutuar dhe vendosur mbi një alfabet të përbashkët për gjuhën shqipe.
Vendimet e Kongresit shënuan një moment vendimtar për zhvillimin e arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Njësimi i alfabetit krijoi mundësi më të mëdha për botimin e librave, përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe dhe zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë kombëtare.
Pas diskutimeve të shumta u miratua një alfabet i ri, i mbështetur në alfabetin latin, i plotësuar me nëntë dyshkronjësha (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë). Komisioni vendosi gjithashtu të lejojë përdorimin paralel të alfabetit të Stambollit, për shkak të përhapjes së tij ndër shqiptarët.
Ky vendim ishte kurorëzimi i përpjekjeve shumëvjeçare për unifikimin gjuhësor dhe kulturor mbarëkombëtar. Kongresi hartoi edhe një program me 18 kërkesa politike, kulturore dhe arsimore, ku më të rëndësishmet ishin arsimi fillor në gjuhën shqipe dhe themelimi i një universiteti shqiptar.
Në këtë proces historik një rol të rëndësishëm patën figura të njohura të Rilindjes Kombëtare, mes tyre Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Parashqevi Qiriazi dhe Luigj Gurakuqi.
Me rastin e 118-vjetorit, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut etj, organizohen aktivitete përkujtimore, kulturore dhe shkencore, në nderim të kësaj ngjarjeje.

