Rama: Inspektimet do të ndryshojnë, gjoba të jetë masa e fundit – “Inspektorët do të pajisen me kamera inteligjente”

TIRANË ,02 shtator 2026 / Albania Express News /-Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se mënyra e kryerjes së inspektimeve ndaj bizneseve dhe sipërmarrësve do të ndryshojë, duke kërkuar një qasje më orientuese dhe bashkëpunuese nga ana e institucioneve shtetërore.

Pas takimit me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe Inspektorin e Përgjithshëm, Dashnor Sula, Rama theksoi se inspektorët nuk duhet të shkojnë te subjektet me synimin për të evidentuar shkelje dhe për të vendosur menjëherë masa ndëshkuese.

Sipas kryeministrit, objektivi duhet të jetë orientimi i sipërmarrësve, evidentimi i problematikave dhe ndihma për korrigjimin e tyre, në mënyrë që subjektet të përmbushin standardet e kërkuara.

Rama deklaroi gjithashtu se gjoba duhet të përdoret vetëm si masë e fundit dhe jo si instrument presioni ndaj sipërmarrjes.

“Kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë testin e besës. Nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim. Inspektori nuk vjen te dera e biznesit si skenë krimi, por si shteti që njofton, të mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjohesh”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se qëllimi i inspektimeve nuk duhet të jetë “kapja” e subjekteve në gabim, por mbështetja e tyre për përmirësimin e veprimtarisë dhe përmbushjen e standardeve.

“Gjoba është arma e fundit, jo e para. Kurrë një shpatë shantazhi mbi qafën e sipërmarrësit. Kush nxjerr gjobën para fjalës së mirë, nuk po e mbron shtetin”, deklaroi kryeministri.

Rama u bëri thirrje sipërmarrësve që të denoncojnë rastet kur përballen me inspektime rutinë të kryera pa paralajmërim.

Ndërkohë, kryeministri paralajmëroi edhe një tjetër ndryshim në mënyrën e monitorimit të inspektorëve. Sipas tij, së shpejti inspektorët që do të kryejnë kontrolle në emër të shtetit do të pajisen me kamera inteligjente të trupit dhe do të jenë të veshur me uniformë.

“Çdo inspektor që troket në emër të shtetit te dera e një tatimpaguesi, do të jetë i pajisur me kamera inteligjente të trupit dhe i veshur me uniformë, dhe ai ta dijë se në çdo minutë është i mbikëqyrur”, tha Rama.

Kjo qasje, sipas kryeministrit, synon të rrisë transparencën, përgjegjshmërinë dhe besimin mes institucioneve shtetërore dhe sipërmarrjes, duke e kthyer procesin e inspektimit nga një mekanizëm thjesht ndëshkues në një instrument për përmirësimin e standardeve dhe respektimin e rregullave.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME