Prrenjasi ngrihet në këmbë.Qindra qytetarë themelojnë “Aleancën për Mbrojtjen e Bashkisë “, Këshilltari i PS ,Ardit Facja: “Lidhim besën për të mbrojtur të ardhmen tonë”

PRRENJAS ,25 korrik 2026/Albania Express News /-Qindra qytetarë iu përgjigjën mbrëmjen e së premtes thirrjes për mobilizim dhe bashkim qytetar në Prrenjas, duke marrë pjesë në takimin e organizuar në lulishten qendrore të qytetit. Tubimi, i iniciuar nga anëtari i Këshillit Bashkiak të Prrenjasit, Ardit Facja, shënoi edhe prezantimin publik të Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Prrenjasit, një platformë qytetare informale që synon të bashkojë banorët për mbrojtjen e interesit publik dhe zhvillimin e bashkisë.

Takimi u zhvillua në prani të qindra banorëve të ardhur nga qyteti dhe njësitë administrative, të cilët diskutuan mbi sfidat që përballet Prrenjasi dhe nevojën për një angazhim më të madh qytetar në çështjet që lidhen me të ardhmen e zonës.

Në fjalën e tij, Ardit Facja theksoi se nisma nuk është ndërtuar mbi baza politike, por mbi nevojën për të bashkuar komunitetin rreth interesit të përbashkët të Prrenjasit.

“Sonte është dita kur prrenjasakët lidhin besën për shpëtimin e vatanit të tyre. Politika këtu nuk pi më ujë në këtë kauzë. Inatet dhe hatërmbetjet personale duhet të lihen mënjanë. Na bashkon vetëm Prrenjasi,” u shpreh ai para të pranishmëve.

Sipas Facjas, Aleanca synon të krijojë një urë bashkëpunimi mes qytetarëve, profesionistëve, biznesit, të rinjve dhe diasporës, duke i dhënë komunitetit një rol më aktiv në mbrojtjen e interesave publike dhe në monitorimin e zhvillimit të bashkisë.

Gjatë prezantimit u bë publik edhe dokumenti themelues i Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Prrenjasit, ku përcaktohet se platforma është informale, e pavarur, jopartiake, vullnetare, gjithëpërfshirëse dhe jofitimprurëse. Në dokument theksohet se Aleanca nuk është krijuar kundër askujt, por për t’i shërbyer komunitetit dhe për të mbrojtur interesin publik.

Misioni i saj përfshin mbështetjen e zhvillimit ekonomik, promovimin e kulturës dhe turizmit, mbrojtjen e trashëgimisë historike, zhvillimin e sportit, përkrahjen e rinisë, biznesit, arsimit dhe diasporës, si edhe monitorimin e transparencës dhe mirëqeverisjes lokale.

Platforma synon që Bashkia Prrenjas të zhvillohet si një bashki me identitet të fortë, ekonomi të zhvilluar, administratë transparente, qytetarë aktivë dhe mjedis të mbrojtur. Motoja e saj është: “Një zë. Një komunitet. Një Prrenjas.”

Në dokumentin themelues parashikohet gjithashtu krijimi i një bërthame përfaqësuese me 25 personalitete të komunitetit, të cilët do të mbulojnë fusha të ndryshme si historia, kultura, arsimi, sporti, biznesi, turizmi, bujqësia, mjedisi, shëndetësia, media, ekonomia, teknologjia, siguria publike dhe marrëdhëniet me institucionet.

Aleanca synon gjithashtu ngritjen e një rrjeti vullnetarësh, organizimin e aktiviteteve edukative, kulturore dhe sociale, si edhe hartimin e një regjistri të trashëgimisë së Bashkisë Prrenjas, ku do të dokumentohen figurat historike, monumentet kulturore, traditat, pasuritë natyrore dhe asetet turistike të zonës.

Në përfundim të takimit, Facja u bëri thirrje qytetarëve që të mbeten të bashkuar dhe të kontribuojnë secili sipas mundësive për zhvillimin e Prrenjasit.

“Të gjithë së bashku për një qëllim, deri në fund pa kushte. Do t’ia dalim, sepse prrenjasakët nuk bëjnë mbrapa,” deklaroi ai.

Pjesëmarrja e lartë në këtë tubim u konsiderua nga organizatorët si një tregues i interesimit të komunitetit për t’u bërë pjesë e nismave qytetare që synojnë zhvillimin dhe mbrojtjen e interesave të Bashkisë Prrenjas. Ndërkohë, mbetet të shihet se cilat do të jenë hapat konkretë të mëtejshëm të Aleancës dhe mënyra se si kjo platformë do të angazhohet në adresimin e çështjeve me interes publik në nivel lokal.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Tirana e nis me barazim fazën përgatitore në Turqi, bardheblutë ndalin Çorum FK në miqësoren e parë

TURQI ,25 korrik 2025/Albania Express /-Tirana ka zhvilluar ndeshjen...

“Nuk do të ketë më para pas vitit 2036”, Elon Musk: Inteligjenca artificiale do t’ia bëjë të parëndësishme

BOTA ,25 korrik 2026/Albania Express News/-Elon Musk ka deklaruar...

KFF Mitrovica shkruan histori, kualifikohet në raundin e dytë të UEFA Women’s Champions League pas fitores ndaj Ludogorets

KOSOVË ,25 korrik 2025/Albanoa Express News/-Klubi i Futbollit të...

BESA !

NGA NERTIL JOLE TIRANË ,25 korrik 2026/Albania Express News/-E...