PRRENJAS ,11 gusht 2026/Albania Express News/-Këshilli Bashkiak i Prrenjasit ka deklaruar qëndrimin kundër projektit për ndarjen e re administrative-territoriale, duke shprehur kundërshtimin ndaj mundësisë së shkrirjes së Bashkisë Prrenjas.
Në mbledhjen e zhvilluar sot, ndër pikat kryesore të rendit të ditës ishte shqyrtimi i propozimit të depozituar pranë Këshillit Bashkiak për ndarjen e re administrative-territoriale të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë mbledhjes, këshilltarët bashkiakë shprehën qëndrimin e tyre kundër shkrirjes së Bashkisë Prrenjas, ndërsa u miratua edhe kalendari i dëgjesave dhe konsultimeve publike që do të zhvillohen me qytetarët.
Megjithatë, ky qëndrim nuk është miratuar ende zyrtarisht me një vendim përfundimtar të Këshillit Bashkiak.
Në vijim, do të plotësohet drafti i qëndrimit kundërshtues, ku do të përfshihen argumentet e Bashkisë Prrenjas kundër ndryshimit të propozuar territorial. Paralelisht, pritet të mblidhen edhe kërkesat dhe qëndrimi i qytetarëve përmes peticionit kundër shkrirjes së bashkisë.
Pas përfundimit të këtij procesi, Këshilli Bashkiak i Prrenjasit do të mblidhet sërish, për të shqyrtuar dhe miratuar zyrtarisht qëndrimin kundër projektit të ndarjes së re administrative-territoriale. Dokumentit përfundimtar pritet t’i bashkëngjiten edhe drafti kundërshtues dhe peticioni i qytetarëve.
Edhe kryetari i Bashkisë Prrenjas është shprehur kundër projektit të shkrirjes, ndërsa debati pritet të vijojë gjatë fazës së konsultimeve me komunitetin.
Deputeti i opozitës i Qarkut Elbasan, Blendi Himçi, ka përshëndetur qëndrimin e mbajtur nga Këshilli Bashkiak, duke deklaruar mbështetjen e tij për ruajtjen e Bashkisë Prrenjas si njësi më vete.
Himçi ka bërë thirrje edhe për Këshillat Bashkiakë të Cërrikut dhe Belshit, që të shprehen për të ardhmen e njësive të tyre administrative dhe të mbrojnë interesat e komuniteteve që përfaqësojnë.
Kështu, procesi në Prrenjas vijon me konsultimet dhe dëgjesat publike, ndërsa vendimi zyrtar i Këshillit Bashkiak kundër shkrirjes pritet të merret pas përfundimit të përgatitjes së dokumentacionit dhe mbledhjes së radhës.
.

