Alarm i inxhinierit Fatmir Brazhda për Liqenin e Draganit në Shebenik, sipërfaqja ujore po reduktohet ndjeshëm

LIBRAZHD ,11 gusht 2026/Albania Express News/-Liqeni glacial i Draganit, në Parkun Kombëtar Shebenik, po përballet me një situatë shqetësuese. Sipërfaqja ujore e liqenit është reduktuar ndjeshëm dhe pjesë të konsiderueshme të basenit janë tashmë të thata. Alarmi është ngritur nga inxhinieri Fatmir Brazhda, i cili ka publikuar në rrjetet sociale pamje dhe një analizë mbi gjendjen e liqenit.

Sipas Brazhdës, situata e konstatuar në terren nuk duhet të shpërfillet, pasi Liqenet Glaciale përbëjnë ekosisteme të veçanta dhe me rëndësi të madhe për biodiversitetin e zonave malore.

“Liqenet glaciale nuk janë vetëm një bukuri e rrallë e peizazhit malor”, thekson inxhinieri në postimin e tij, duke nënvizuar se këto habitate shërbejnë si mjedise ku jetojnë dhe riprodhohen lloje të ndryshme të amfibëve, tritonëve, insekteve ujore dhe bimësisë karakteristike.

Në rastin e Liqenit të Draganit, gjatë viteve janë vëzhguar tritonë, salamandra dhe bimësi ujore, çka e bën reduktimin e sipërfaqes së ujit edhe më shqetësues për gjendjen e ekosistemit.

Thatësira dhe temperaturat e larta, presion mbi ekosistemet malore

Sipas vlerësimit të publikuar nga Brazhda, ndër faktorët që mund të ndikojnë në gjendjen e liqenit janë thatësirat e zgjatura, temperaturat e larta, reduktimi i reshjeve dhe ndryshimet në mbulesën e dëborës.

Këta faktorë mund të ndikojnë drejtpërdrejt në sasinë e ujit që grumbullohet dhe qëndron në liqenet malore, duke shtuar presionin mbi ekosistemet dhe speciet që varen prej tyre.

Megjithatë, inxhinieri thekson se nuk mund të përcaktohet me siguri shkaku i tharjes vetëm nga pamjet e momentit. Për këtë arsye, sipas tij, nevojitet monitorim i vazhdueshëm hidrologjik dhe biologjik, në mënyrë që të kuptohet se çfarë po ndodh me liqenin dhe cilët janë faktorët kryesorë që kanë sjellë reduktimin e ujit.

Kërkohet monitorim dhe masa për mbrojtjen e ekosistemit

Në postimin e tij, Fatmir Brazhda ngre nevojën për ndërhyrje dhe monitorim më të organizuar të situatës. Ndër masat që propozon janë monitorimi i nivelit dhe cilësisë së ujit, inventarizimi i biodiversitetit, studimi i burimeve që ushqejnë liqenin dhe, në rastet kur është e nevojshme, aplikimi i masave restauruese të bazuara në natyrë.

Liqeni i Draganit ndodhet në Parkun Kombëtar Shebenik, një prej zonave më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë, e pasur me habitate malore dhe biodiversitet.

Gjendja e këtij liqeni ngre kështu pikëpyetje jo vetëm për nivelin e ujit, por edhe për të ardhmen e një mikroekosistemi që lidhet drejtpërdrejt me jetën e disa specieve dhe me ekuilibrin natyror të zonës.

“Tharja e një liqeni glacial nuk është vetëm humbja e ujit. Është një paralajmërim për të gjithë ekosistemin malor”, shkruan inxhinieri Fatmir Brazhda, duke kërkuar që situata të monitorohet dhe të studiohet nga institucionet dhe specialistët.

Përtej pamjeve shqetësuese të publikuara nga terreni, vlerësimi përfundimtar mbi shkaqet dhe përmasat e fenomenit kërkon të dhëna shkencore, matje periodike dhe monitorim të vazhdueshëm të Liqenit të Draganit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Analiza/ E zhytur në krizë institucionale, Kosova rrezikon humbjen e përhershme të milionave nga BE-ja

BRUKSEL ,11 gusht 2026/Albania Express News/-Bashkimi Evropian ka alokuar...

Bomba e Ali Ahmetit: Kur Greqia dhe Serbia i kërkoi Fatos Nanos dhe Sali Berishës për ndarjen e Maqedonisë

MAQEDONI E VERIUT ,11 gusht 2026/Albania Express News/-Ali Ahmeti,...

Nga emigracioni te toka e vendlindjes, Veli Kolonjari rikthen kultivimin e duhanit në Labinot Mal

ELBASAN  ,11 gusht 2026/Albania Express News/-Pas viteve të emigracionit,...

INSTAT: Lindjet tejkaluan vdekjet me 218 raste, Tirana me shtesën më të lartë natyrore

TIRANË ,11 gusht 2026/Albania Express News/-Popullsia e Shqipërisë shënoi...