HIMARË ,15 gusht 2026/Albania Express News/-Në ambientet e Bashkisë Himarë u zhvillua ditën e sotme promovimi i librit “Jemi që pa ardhur deti”, një ese-intervistë kushtuar poetit të paharruar Lefter Çipa, me autor Akri Çipën.
Botimi i ri, i realizuar nga autori rezident në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vjen i pasuruar me një ese të re të Akri Çipës, ndërsa në qendër të tij qëndron intervista e zgjeruar me poetin Lefter Çipa, e realizuar në vitin 2017. Intervista rikthehet tashmë si një dëshmi me vlerë për jetën, krijimtarinë, filozofinë dhe mendimin e një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë, këngës dhe polifonisë shqiptare.
Një risi e rëndësishme e këtij botimi është përfshirja për herë të parë edhe e versionit në gjuhën angleze, me titullin “We Were Here Before the Sea”. Përmes këtij botimi dygjuhësh, krijimtaria dhe trashëgimia shpirtërore e Bregut dhe Labërisë synojnë të kapërcejnë kufijtë e lexuesit shqiptar, duke iu prezantuar edhe publikut ndërkombëtar.
Libri, i sjellë për lexuesit nga enti botues B&M në Tiranë dhe Qendra “Muzeu i Fjalës”, përcjell një pasuri të veçantë të traditave, këngës, fjalës, kujtesës dhe identitetit kulturor shqiptar. Nëpërmjet rrëfimeve dhe mendimeve të Lefter Çipës, lexuesi ka mundësinë të njohë më nga afër botën krijuese të poetit dhe lidhjen e tij të thellë me vendlindjen, traditën dhe kulturën e Labërisë.
Botimi u realizua me mbështetjen e Bashkisë Himarë dhe Qendrës “Muzeu i Fjalës”. Gjatë aktivitetit, autori Akri Çipa shprehu mirënjohjen për institucionet dhe të gjithë kontribuuesit që mbështetën realizimin e këtij projekti, duke vlerësuar përkushtimin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Në promovim morën pjesë dhe mbajtën fjalën figura të njohura të kulturës, gazetarisë dhe jetës publike. Mes tyre ishin gazetari nga Gjirokastra Ëngjëll Seriani, poetja Ledia Dushi, aktori i njohur Luftar Paja, politikani Petro Koçi, si dhe redaktori i vëllimit, poeti dhe gazetari Aleksandër Çipa.
Aleksandër Çipa është njëkohësisht babai i autorit të librit dhe biri i poetit të paharruar Lefter Çipa, duke e bërë këtë botim edhe një dëshmi të veçantë të një trashëgimie letrare e kulturore të përcjellë ndër breza.
Në aktivitet ishin të pranishëm gazetarë, shkrimtarë, poetë, këngëtarë, intelektualë dhe përfaqësues të ndryshëm të komuniteteve të Bregut, Labërisë dhe emigracionit. Prania e tyre i dha promovimit një dimension të veçantë kulturor, duke e kthyer atë në një takim mes kujtesës, letërsisë, këngës dhe identitetit të një treve me një pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore.
“Jemi që pa ardhur deti” vjen kështu jo vetëm si një libër për Lefter Çipën, por edhe si një përpjekje për të ruajtur e përcjellë te brezat e rinj një pjesë të rëndësishme të kujtesës kulturore shqiptare.
Pas promovimit në Himarë, paraqitja e botimit dygjuhësh pritet të vijojë edhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, si dhe në komunitetet shqiptare në diasporë, duke synuar që figura dhe vepra e Lefter Çipës të njihen më gjerësisht edhe jashtë kufijve të vendit.


