Nga Sejdin Cekani
TIRANË ,18 korrik 2026 /Albania Express News/-“Punë ka, por nuk ka profesionistë!” Kur këto fjalë u shqiptuan vite më parë nga kryeministri, shumëkush i konsideroi si një justifikim për mungesën e specialistëve në tregun e punës. Në të vërtetë, mungesa e profesionistëve nuk ka qenë kurrë problemi. Shqipërisë nuk i kanë munguar njerëzit e ditur, të shkolluar dhe me përvojë. Ka munguar – dhe vazhdon të mungojë – vullneti për t’i vlerësuar ata dhe për t’u besuar drejtimin e punëve publike.
Mjafton të shohësh se çfarë ndodh në administratën shtetërore. Aty nuk gjen gjithmonë më të aftët, por më të afërtit; jo më të diturit, por më të bindurit; jo njerëzit e meritës, por ata të teserës, të fisit, të klanit apo të klientelës. Në vend që institucionet të jenë tempuj të profesionalizmit, ato janë shndërruar shpesh në strehë rehatie për militantë politikë dhe në vende ku shpërblehet besnikëria partiake.
Ndërkohë, merita ka mbetur në korridore, në pritje, ndërsa mediokriteti dhe profanizmi janë mbërthyer me thonj e me dhëmbë pas karrigeve.
Nuk është çudi, prandaj, që qytetari endet nga një zyrë në tjetrën pa marrë përgjigje; që dosjet flenë me muaj të tërë mbi tavolina; apo që vendime të rëndësishme merren nga njerëz që nuk zotërojnë as njohuritë bazë të detyrës së tyre. Arroganca ka zëvendësuar kompetencën, ndërsa titulli i funksionit është marrë gabimisht si provë e dijes.
Në shumë zyra gjen filistinë që e shohin pushtetin si privilegj, prepotentë që e ngatërrojnë autoritetin me fodullëkun dhe teleshmanë që nuk dinë as nga lidhet veshgjati, por që, me një këmbëngulje të admirueshme, vazhdojnë ta lidhin nga bishti.
Dhe më pas habitemi pse projektet zvarriten, pse fondet shpërdorohen, pse reformat mbeten në letër dhe pse qytetarët humbasin çdo ditë e më shumë besimin te shteti.
Këto radhë i kam shkruar tre vjet më parë. Sot m’i rikujtoi rubrika “Memories” në Facebook. I lexova sërish dhe, për fat të keq, vitet që kanë kaluar vetëm sa e kanë përforcuar vërtetësinë e tyre.
Po, punë ka. Profesionistë gjithashtu ka, madje me shumicë. Shumë prej tyre janë lënë në pritje, janë larguar nga administrata ose kanë zgjedhur të emigrojnë, jo sepse u mungon aftësia, por sepse u mungon “biografia” e duhur politike.
Për sa kohë që kriteri kryesor për të zënë një karrige nuk do të jetë dija, ndershmëria dhe integriteti, administrata do të vazhdojë të prodhojë të njëjtat dështime, ndërsa ne do të vazhdojmë të dëgjojmë të njëjtin refren: “Punë ka, por nuk ka profesionistë.”
Në të vërtetë, duhet thënë ndryshe dhe me plot gojën:
“Profesionistë ka. Ajo që mungon është vullneti për t’ua besuar atyre drejtimin e punëve të shtetit.”

