Presidenti i FFK-së, Agim Ademi udhëton në SHBA me ftesë të Gianni Infantinos, pjesë e aktiviteteve zyrtare të finales së Kupës së Botës

NGA FATMIR POPJA

PRISHTINE ,13 korrik 2026/Albania Express News/-Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për të marrë pjesë në aktivitetet zyrtare që organizohen në kuadër të finales së Kupës së Botës.

Ftesa e kreut të FIFA-s për presidentin e FFK-së konsiderohet një vlerësim i rëndësishëm për futbollin e Kosovës dhe për marrëdhëniet institucionale që Federata e Futbollit e Kosovës ka ndërtuar me organizatat më të larta të futbollit botëror.

Gjatë qëndrimit në SHBA, presidenti Ademi do të ndjekë nga afër dy ndeshjet gjysmëfinale të turneut, Francë – Spanjë dhe Angli – Argjentinë, përpara se të jetë i pranishëm edhe në finalen e madhe të Kupës së Botës, e cila do të zhvillohet më 19 korrik në MetLife Stadium.

Përveç ndjekjes së ndeshjeve, presidenti i FFK-së do të marrë pjesë në ceremonitë dhe eventet madhështore të organizuara nga FIFA me rastin e finales, ku pritet të marrin pjesë drejtues të federatave kombëtare nga e gjithë bota, përfaqësues të konfederatave kontinentale, legjenda të futbollit, personalitete të sportit dhe të ftuar të shumtë ndërkombëtarë.

Finalja e këtij edicioni do të shënojë një moment historik edhe për spektaklin që do ta shoqërojë atë, pasi për herë të parë FIFA ka parashikuar organizimin e një shfaqjeje artistike gjatë pushimit mes dy pjesëve të ndeshjes, në bashkëpunim me organizatën Global Citizen, duke e kthyer finalen në një ngjarje sportive dhe kulturore me përmasa globale.

Kjo nuk është hera e parë që Agim Ademi merr pjesë në aktivitetet e Botërorit. Ai ishte i ftuar edhe në ceremoninë hapëse të kampionatit dhe gjatë fazës së parë ndoqi nga afër disa prej ndeshjeve, duke zhvilluar njëkohësisht takime me drejtues të federatave të ndryshme dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare të futbollit.

Pjesëmarrja e presidentit të FFK-së në aktivitetet zyrtare të organizuara nga FIFA pritet të shërbejë edhe si një mundësi për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e përvojave dhe promovimin e futbollit të Kosovës në skenën botërore, në një ngjarje që mbledh figurat më të rëndësishme të sportit më të ndjekur në planet.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

“Vërejtje në biografi”

Nga Auron Tare TIRANË ,13 korrik 2026/Albania Express News/-Dikur, kur...

Edi Rama: “Ballkani i Hapur” u konsiderua ide e tmerrshme thjesht sepse unë dhe Vuçiç ishim pas saj

TIRANË, 13 korrik 2026/Albania Express News/- Kryeministri Edi Rama...