Presidenti Begaj në Luginën e Preshevës: Mbrojtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare pjesë e vetë sistemit evropian të vlerave

PRESHEVË,9 korrik 2026/Albania Express News/-Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë në Luginën e Preshevës.
Si në Preshevë, ashtu edhe në Bujanoc, Kreu i Shtetit u prit me përzemërsi nga banorët dhe drejtuesit politikë të komunave.
Presidenti Begaj zhvilloi takime të veçanta me Kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, Kryetarin e Komunës së Bujanocit, z. Arbër Pajaziti, Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Enkel Rexhepi, me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, z. Shaip Kamberi, me të cilët bisedoi për adresimin e shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës, për forcimin e bashkimit të faktorit shqiptar, si edhe për projektet që do të ndihmojnë rininë.

Presidenti Begaj përcolli mesazhe për bashkëpunim, unitet të faktorit politik dhe përpjekje për respektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në këto troje.
Kreu i Shtetit i inkurajoi liderët politikë të kësaj treve të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kreu i Shtetit i përforcoi këto mesazhe edhe gjatë një fjalimi të mbajtur para qytetarëve në Preshevë me rastin e çeljes së Panairit të Librit Shqip 2026.
Gjatë kësaj fjale, Presidenti i Republikës garantoi mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjes së Luginës së Preshevës, përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare.
“Të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginën e Preshevës e kudo ku ata jetojnë duhen të respektohen, shqiptarët duhet të jetojnë këtu, të mos diskriminohen, gjuha shqipe të përdoret pa drojë e frikë, kultura, vlerat, identiteti dhe traditat të mbrohen dhe promovohen”.

Presidenti Begaj rikonfirmoi se shqiptarët janë faktor paqeje dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor dhe se mbrojtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Preshevë është pjesë e standardeve evropiane për të drejtat dhe diversitetin kulturor.
“Identiteti shqiptar është ndërtuar mbi vlera evropiane, mbi respektin për lirinë, dinjitetin njerëzor, bashkëjetesën, shtetin e së drejtës dhe kulturën e dialogut. Prandaj, mbrojtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Luginën e Preshevës nuk është çështje nostalgjie, nuk është vetëm çështje kombëtare, është pjesë e vetë sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave, është pjesë e vizionit tonë si komb për të ardhmen”.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj iu drejtua të rinjve të Preshevës, duke i ftuar që shqipen ta bëjnë gjuhë të dijes, profesionit dhe suksesit, jo vetëm gjuhë familjare.
“Një mesazh sot e kam për ata fëmijë dhe të rinj të pranishëm.
Ju jetoni në një kohë kur dija është më e arritshme se kurrë më parë, por edhe kur sfida për të ruajtur identitetin është edhe më komplekse. Gjuha shqipe në këto troje është një pasuri e gjallë dhe e patjetërsueshme, është një investim strategjik për të ardhmen e kombit. Gjuhën shqipe ta përdorni jo vetëm si gjuhë të familjes dhe për të ruajtur traditën, por edhe si gjuhën e dijes, të profesionit, të krijimtarisë dhe të suksesit tuaj këtu në Luginë, sepse një gjuhë jeton vërtet kur shkruhet, lexohet dhe kur krijon dije dhe frymëzon breza”.

Kreu i Shtetit u zotua se do të vazhdojë të jetë avokat i të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në çdo institucion dhe kancelari ndërkombëtare.
“Dua t’ju siguroj se institucioni që përfaqësoj do të mbetet gjithmonë një mbështetës i nismave që forcojnë bashkëpunimin kulturor, promovojnë librin në gjuhën shqipe dhe krijojnë ura komunikimi ndërmjet shqiptarëve kudo që jetojnë”.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Rrëzohet helikopteri me zëvendëspresidenten e Zambias në bord, të tetë personat shpëtojnë mrekullisht

ZAMBIA ,9 korrik 2026/Albania Express News/-Zëvendëspresidentja e Zambisë, Mutale...

Koncerti i Kanye West në Kashar në 11 Korrik, policia njofton bllokimin e disa akseve rrugore

TIRANË ,9 korrik 2026/Albania Express News/-Në kuadër të koncertit...

Edi Rama pritet nga Erdogan në Pallatin Presidencial në Ankara

TIRANË, 9 korrik 2026 /Albania Express News/- Kryeministri Edi...