Avokati i Popullit Endri Shabani inspekton burgun e Reçit: Shërbim i dobët shëndetësor

SHKODËR, 9 korrik 2026 /lbania Express News/ ​-Një ekip nga zyra e Avokatit të Popullit po inspekton prej tre ditësh një nga burgjet më të mëdha në vend, atë të Reçit në Shkodër.

​Sot, këtë institucion e vizitoi edhe vetë Avokati i Popullit, Endrit Shabani, i shoqëruar nga Komisioneri për Parandalimin e Torturës, Ahmet Prençi. Ata panë nga afër kushtet e rrethimit, si dhe zhvilluan biseda me të dënuarit dhe stafin e burgut.

​Në një komunikim për mediet pas vizitës, Avokati i Popullit vuri theksin te faktet se, ndonëse Burgu i Reçit është një strukturë e re, ai vijon të vuajë nga mangësitë e vjetra të sistemit, i cili dështon të ofrojë shërbime të mirëfillta rehabilituese për të dënuarit.

​”Të dënuarit nuk mund të ngecin brenda rrjetës së kriminalizimit. Ata duhet të kenë mundësi të ndjekin programe sociale dhe edukuese që e bëjnë rikthimin e tyre në shoqëri të pranueshëm”, u shpreh Shabani.

​Duke iu referuar ankesave dhe rasteve të vdekjeve në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), Avokati i Popullit kërkoi investime të menjëhershme në infrastrukturë.

Sipas tij, kjo do të garantonte kushte më humane dhe shërbime shëndetësore reale, si për të dënuarit, ashtu edhe për efektivët dhe punonjësit e këtyre institucioneve.

​Endrit Shabani u ndal gjithashtu te zbatimi në praktikë i ligjit për amnistinë, duke denoncuar një hallkë burokratike që po penalizon të burgosurit.

​”Me keqardhje konstatojmë se, pavarësisht vërejtjeve tona që në fillim, ka të dënuar që nuk po përfitojnë nga amnistia, edhe pse i plotësojnë kriteret. Kjo ndodh vetëm sepse vendimet e tyre gjyqësore nuk janë zbardhur brenda afateve. Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj tyre dhe familjeve të tyre”, deklaroi Avokati i Popullit.

​Inspektimi në burgun e Reçit do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme. Në përfundim të tij, Institucioni i Avokatit të Popullit do të bëjë publike të gjitha gjetjet dhe rekomandimet zyrtare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Rrëzohet helikopteri me zëvendëspresidenten e Zambias në bord, të tetë personat shpëtojnë mrekullisht

ZAMBIA ,9 korrik 2026/Albania Express News/-Zëvendëspresidentja e Zambisë, Mutale...

Koncerti i Kanye West në Kashar në 11 Korrik, policia njofton bllokimin e disa akseve rrugore

TIRANË ,9 korrik 2026/Albania Express News/-Në kuadër të koncertit...