Policia e Korçës prezanton bilancin e dy muajve: 65 të arrestuar, 15 persona në kërkim të kapur, 8 operacione policore dhe mbi 8 400 gjoba rrugore

KORÇË ,17 korrik 2026/Albania Express News/- Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Vilson Bala, dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, Drejtues Gëzim Zhupaj, dolën këtë të premte në një konferencë të përbashkët për mediat, ku prezantuan rezultatet e punës së strukturave të Policisë Vendore dhe Policisë Kufitare për periudhën maj–qershor 2026.

Gjatë prezantimit, drejtori Bala bëri të ditur se gjatë dy muajve të fundit janë evidentuar 380 vepra penale, ndërsa 376 prej tyre janë zbuluar, me një nivel zbulueshmërie prej 98.94%. Në total janë identifikuar 369 autorë, nga të cilët 65 janë arrestuar ose ndaluar, 296 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 8 janë shpallur në kërkim.

Në fushën e luftës kundër kriminalitetit, Policia zhvilloi 8 operacione, duke goditur veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, vjedhjeve dhe krimeve kundër personit. Si rezultat u sekuestruan 2 armë zjarri, 1 armë gjahu, rreth 5.5 kilogramë kanabis, një sasi kokaine, si dhe pajisje të tjera të përdorura për aktivitete kriminale.

Një tjetër prioritet ka qenë siguria rrugore. Gjatë kësaj periudhe janë vendosur 8 460 masa administrative, janë pezulluar 45 leje drejtimi, janë sekuestruar 3 automjete dhe janë ndaluar administrativisht 6 mjete. Në qark u regjistruan 18 aksidente rrugore, ku humbën jetën 5 persona, një u plagos rëndë dhe 20 të tjerë pësuan lëndime të lehta.

Sa i përket Policisë Kufitare, drejtori Gëzim Zhupaj deklaroi se gjatë muajve maj dhe qershor në pikat kufitare të qarkut Korçë janë përpunuar 889 138 shtetas dhe 344 646 automjete, ndërsa për përballimin e fluksit janë shtuar sportelet dhe personeli në të katër pikat e kalimit kufitar.

Policia Kufitare evidentoi 43 vepra penale, me 38 autorë, ndërsa në fushën e migracionit të parregullt u trajtuan 47 shtetas të huaj, kryesisht nga Sudani, Egjipti dhe Maroku.

Gjatë konferencës, drejtuesit e Policisë theksuan se prioritetet për muajt në vijim do të jenë garantimi i rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik, lufta kundër kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, parandalimi i zjarreve, goditja e armëmbajtjes pa leje, rritja e sigurisë rrugore, si dhe forcimi i kontrolleve për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në përfundim, drejtuesit e Policisë apeluan qytetarët të vijojnë bashkëpunimin me strukturat ligjzbatuese, duke denoncuar çdo rast paligjshmërie, me qëllim rritjen e mëtejshme të parametrave të sigurisë në qarkun e Korçës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Kërkoi hapjen e partisë, deputetja socialiste Aulona Bylykbashi i përgjigjet Spiropalit: PS ka statut, vendimmarrja kolegjiale

TIRANË ,17 korrik 2026/Albania Express News/-Deputetja socialiste Aulona Bylykbashi...

Botërori 2026/ Një tjetër risi e FIFA, unaza festive për kampionët si në sportet amerikane

BOTËRORI 2026 ,17 korrik 2026/Albania Express News/-Të dielën e...

Çmime të çmendura biletash: Spanja dhe Argjentina luajnë finalen më të shtrenjtë në historinë e sportit

BOTËRORI 2026 ,17 korrik 2026/Albania Express News/-Ethet para finales...

Kamioni bie në një humnerë në Peru/ 14 të vdekur, mes viktimave një fëmijë

PERU ,17 korrik 2026/Albania Express News/-Të paktën 14 persona...