Pogradeci nis nesër përgatitjet për sezonin e ri, objektivi është rikthimi në Superligë/ Stadiumi “Gjorgji Kyçyku” gati për një sezon ambicioz

POGRADEC ,9 korrik 2026/Albania Express News/-Skuadra e Pogradecit do të nisë zyrtarisht këtë të premte, në orën 18:00, përgatitjet për sezonin futbollistik 2026–2027, me synimin e qartë për t’u rikthyer mes elitës së futbollit shqiptar. Lajmi është bërë i ditur nga gazetari sportiv Arbër Emiri përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se gjithçka është gati për startin e një sezoni që pritet të jetë vendimtar për skuadrën liqenore.

Nën drejtimin e stafit teknik, futbollistët pogradecarë do të zbresin për herë të parë në fushën e stadiumit “Gjorgji Kyçyku”, duke nisur fazën përgatitore me objektivin e vetëm: rikthimin në Superligën shqiptare. Klubi synon të ndërtojë një skuadër konkurruese, e cila të luftojë deri në fund për realizimin e këtij misioni.

Sipas Arbër Emirit, ambientet e stadiumit “Gjorgji Kyçyku” janë plotësisht të gatshme për të pritur ekipin dhe zhvillimin e sezonit të ri. Një vlerësim i veçantë i kushtohet gjendjes së tapetit të gjelbër, i cili falë punës së vazhdueshme të Arben Shkëmbit, Edmond Blacërit, Besnik Hoxhallarit dhe Artan Ziut, ndodhet në parametra optimalë, pavarësisht faktit se fusha nuk ka përfituar investime madhore prej rreth 18 vitesh.

Puna dhe përkushtimi i stafit mirëmbajtës kanë bërë që impianti sportiv të paraqitet në kushte shumë të mira, duke krijuar bazën e nevojshme për zhvillimin normal të stërvitjeve dhe ndeshjeve gjatë gjithë sezonit.

Ndërkohë, nga presidenca e klubit dhe Federata Shqiptare e Futbollit është investuar ndjeshëm në mirëmbajtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës së stadiumit. Janë siguruar mjetet dhe pajisjet e nevojshme për mirëmbajtjen profesionale të fushës, ndërsa dhomat e zhveshjes për skuadrat dhe gjyqtarët, si edhe ambientet e tjera ndihmëse, kanë pësuar një transformim të dukshëm.

Falë këtyre ndërhyrjeve, stadiumi “Gjorgji Kyçyku” plotëson standarde shumë më të larta infrastrukturore dhe është në gjendje të presë jo vetëm ndeshjet e kampionatit shqiptar, por edhe aktivitete futbollistike me karakter ndërkombëtar.

Me nisjen e përgatitjeve dhe një impiant sportiv të rikualifikuar, Pogradeci hap zyrtarisht rrugëtimin drejt sezonit 2026–2027, me shpresën se në fund të kampionatit do të realizojë objektivin madhor: rikthimin mes skuadrave më të mira të futbollit shqiptar.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

“Bëhet shumë zhurmë”/ Norvegjia ndërron hotel para çerekfinales së Botërorit, lojtarët u ankuan

BOTËRORI 2026/Albania Express News/-Përgatitjet e Norvegjisë për çerekfinalen e...

Barcelona ideale edhe për Lorendanën/ Borussia Dortmund refuzon ofertën e parë për Adeyemin, por lë derën hapur për negociata

SPANJË ,9 korrik 2026/Albania Express News/-Barcelona ka shfaqur interes...