GREQI ,02 gusht 2026/Albania Express News/-Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur pasditen e së dielës në zonën e Psathas, në Atikën Perëndimore të Greqisë, ku dy helikopterë zjarrfikës të tipit Bell 214 u përplasën në ajër gjatë operacionit për shuarjen e një zjarri të madh pyjor.
Sipas autoriteteve greke, helikopterët po operonin në kushte tepër të vështira, ndërsa tymi i dendur nga zjarri kishte ulur ndjeshëm dukshmërinë. Dëshmitarët në vendngjarje kanë deklaruar se dëgjuan një shpërthim të fortë përpara se të shihnin dy mjetet fluturuese të rrëzoheshin në zonën e përfshirë nga flakët.
Pas përplasjes, të dy helikopterët u rrëzuan në terren, ndërsa rrjedhja e karburantit nga rezervuarët e tyre shkaktoi vatra të reja zjarri në vendin e aksidentit, duke e bërë edhe më të vështirë ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit.
Në bordin e dy helikopterëve ndodheshin katër persona, dy shtetas grekë dhe dy shtetas të huaj, mes tyre pilotë rumunë dhe koordinatorë grekë. Fillimisht u lokalizua ekuipazhi i njërit helikopter, ku dy personat u gjetën gjallë me lëndime të lehta dhe u transportuan në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak 251 në Athinë.
Më pas, pas kërkimeve intensive të forcave të zjarrfikësve dhe ekipeve të shpëtimit, u lokalizua edhe helikopteri i dytë. Dy anëtarët e ekuipazhit u nxorën nga rrënojat pa ndjenja dhe u dërguan me urgjencë në të njëjtin spital. Deri tani autoritetet nuk kanë dhënë një informacion zyrtar mbi gjendjen e tyre shëndetësore, ndërsa raportime të pakonfirmuara nga mediat greke flasin për humbje jete.
Në operacionin e shpëtimit u angazhuan gjashtë autoambulanca, një Njësi Mjekësore Mobile, 12 shpëtimtarë, dy mjekë, si dhe forca të shumta të Departamentit të Zjarrfikësve që ndodheshin tashmë në terren për të luftuar flakët.
Sipas njoftimit zyrtar të Departamentit të Zjarrfikësve të Greqisë, dy helikopterët ishin marrë me qira për operacionet ajrore kundër zjarreve dhe ishin ngritur nga aeroporti i Elefsinës. Operacioni i kërkim-shpëtimit u koordinua personalisht nga shefi i Departamentit të Zjarrfikësve, gjenerallejtënant Theodoros Vagias.
Burime pranë kompanisë që kishte marrë me qira helikopterët bëjnë me dije se, bazuar në të dhënat paraprake, nuk ka indicie për defekte teknike, ndërsa dyshimet e para përqendrohen te një gabim njerëzor, megjithëse hetimet janë ende në fazën fillestare.
Pamjet e momentit të përplasjes janë publikuar nga mediat greke dhe kanë bërë menjëherë xhiron e mediave ndërkombëtare, duke treguar dramatizmin e operacionit ajror në një nga zjarret më të mëdha që po përfshijnë Atikën Perëndimore.
Autoritetet greke kanë nisur një hetim të plotë për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit, ndërsa operacionet për shuarjen e zjarrit në zonën e Psathas vijojnë me intensitet.

