PEQIN ,30 korrik 2026/Albania Express News/-Deputeti socialist i Peqinit, Sajmir Hasalla, ka reaguar pas vendimit për ruajtjen e Bashkisë së Peqinit në kuadër të diskutimeve për reformën e re territoriale, duke e cilësuar atë një lajm të mirë për qytetarët dhe të ardhmen e kësaj zone.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hasalla shprehet se ruajtja e statusit të Bashkisë së Peqinit është një vlerësim për historinë, identitetin dhe rolin që kjo trevë ka pasur ndër shekuj.
“PEQINI mbetet Bashki. Një lajm i mirë për qytetarët, për historinë dhe për të ardhmen e kësaj treve”, shkruan deputeti socialist, duke theksuar se Peqini nuk është thjesht një ndarje administrative, por një zonë me një trashëgimi të rëndësishme historike e kulturore.

Sipas Hasallës, Peqini përfaqëson vazhdimësinë e Klaudianës së lashtë dhe ka qenë një pikë strategjike përgjatë rrugës së njohur historike Via Egnatia.
“Peqini nuk është thjesht një kufi administrativ. Ai është vazhdimësia e Klaudianës së lashtë, një nyje e rëndësishme e Via Egnatia, një qytet me trashëgimi historike, kulturore e njerëzore që meriton të ruhet dhe të zhvillohet”, thekson ai.
Deputeti vlerëson se reformat territoriale duhet të ndërtohen duke marrë në konsideratë jo vetëm kriteret administrative, por edhe historinë, traditën, lidhjen e qytetarëve me territorin dhe potencialet e zhvillimit të çdo komuniteti.

Në reagimin e tij, Hasalla falënderon qytetarët, intelektualët, historianët, përfaqësuesit institucionalë dhe të gjithë ata që, sipas tij, kontribuuan me argumente për ruajtjen e Bashkisë së Peqinit.
“Falënderoj të gjithë ata që ngritën zërin me argumente, qytetarët, intelektualët, historianët, përfaqësuesit institucionalë dhe çdo peqinas që e konsideroi mbrojtjen e statusit të Bashkisë si një çështje dinjiteti dhe përgjegjësie qytetare”, shprehet deputeti.
Tashmë, sipas tij, fokusi duhet të kalojë nga mbrojtja e statusit administrativ tek zhvillimi i mëtejshëm i zonës, përmes investimeve dhe projekteve konkrete.

“Sfida jonë nuk është më ruajtja e statusit, por ta bëjmë Peqinin një bashki edhe më të fortë, me më shumë investime, më shumë zhvillim ekonomik, më shumë mbështetje për bujqësinë, arsimin, sportin, turizmin dhe trashëgiminë kulturore”, shkruan Hasalla.
Në përfundim të reagimit të tij, deputeti socialist nënvizon se historia i ka dhënë Peqinit identitetin, ndërsa brezi i sotëm ka përgjegjësinë për t’i dhënë zhvillimin e merituar.
Vendimi për ruajtjen e Bashkisë së Peqinit vjen në një kohë kur reforma e re territoriale është në qendër të debatit politik dhe institucional, me propozime për riorganizimin e numrit të bashkive në vend.


