TIRANË , 8 nëntor 2026/Albania Express News/-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë mbrëmjen e sotme në një konferencë për mediat, ku ka komentuar protestën e zhvilluar këtë të shtunë. Gjatë fjalës së tij Berisha ka akuzuar policinë për provokimin e protestuesve dhe studentëve, duke pretenduar se ndaj revoltës studentore po veprohet sipas një skenari kriminal.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve dhe faktorëve opozitar që të bashkohen në mbështetje të studentëve, pavarësisht dallimeve politike dhe kundërshtive mes tyre. Gjithashtu Berisha deklaroi se PD do të mbështesë plotësisht protestën dhe kërkesat e studentëve.
“Sot u faktua se protestuesit dhe studentët u provokuan nga policia, e cila vepron me një skenar kriminal ndaj revoltës studentore. Kam një ftesë për të gjithë: të bashkohemi në mbështetje të studentëve, të bashkohemi pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kemi me njëri-tjetrin, pavarësisht nga dallimet që mund të kemi. Të bashkohemi me studentët, të cilët po zhvillojnë një betejë epike kundër së keqes më të madhe të këtij kombi, që e ka emrin Edi Rama.
Ju garantoj se Partia Demokratike është vendosur t’i mbështesë totalisht studentët, revoltën e tyre dhe të respektojë të gjithë ata që janë në këtë linjë. Ftoj çdo qytetar të angazhohet në këtë betejë. Bashkimi i të gjithë faktorëve opozitarë duhet të jetë kurora e kësaj lëvizjeje të madhe e të paparë që po zhvillohet në Shqipëri, për t’u ndarë nga ky regjim dhe për t’u përgatitur për një qeveri që do të përgatisë kuadrin ligjor për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Berisha.

