Pas 30 vitesh në arrati, SHBA ekstradon në Shqipëri Sokol Hoxhën, i dënuar për vrasjen e dy vëllezërve në Patos dhe të një gruaje shqiptare në Belgjikë

TIRANË ,06 gusht 2026/Albania Express News/-Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ekstraduar drejt Shqipërisë, me një fluturim charter, Sokol Hoxhën, një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, duke i dhënë fund një arratie që zgjati afro 30 vjet.

Hoxha ishte dënuar nga gjykatat shqiptare me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në Patos, krim i ndodhur në mars të vitit 1997. Ndërkohë, ai rezulton i dënuar edhe me burgim të përjetshëm në Belgjikë për vrasjen e shtetases shqiptare Brunilda Dervishi, ngjarje e ndodhur në gusht të po atij viti.

Ekstradimi i tij vjen pas një bashkëpunimi të gjatë mes autoriteteve shqiptare dhe agjencive ligjzbatuese amerikane, belge, britanike dhe kosovare, të cilat për vite me radhë shkëmbyen informacione për lokalizimin e të shumëkërkuarit.

Sipas të dhënave hetimore, pas kryerjes së vrasjes së dyfishtë në Shqipëri, Hoxha u arratis fillimisht në Greqi dhe më pas në Belgjikë, ku dyshohet se u përfshi në aktivitetin e prostitucionit. Pikërisht në këtë periudhë ndodhi edhe vrasja e Brunilda Dervishit, për të cilën autoritetet belge e dënuan me burgim të përjetshëm.

Hetimet kanë ngritur dyshime se Hoxha kishte krijuar një martesë fiktive me viktimën dhe më pas e shfrytëzonte atë për prostitucion. Sipas autoriteteve belge, konflikti mes tyre lindi pasi gruaja kundërshtoi t’i bindej kërkesave të tij, çka përfundoi me vrasjen e saj në një lokal në Bruksel.

Pas këtij krimi, Hoxha dyshohet se u largua drejt Britanisë së Madhe duke përdorur dokumente të falsifikuara kosovare, praktikë e përdorur nga shumë emigrantë gjatë periudhës së pasluftës në Kosovë. Me identitetin e rremë Hysen Gashi, ai arriti të siguronte dokumente britanike dhe më pas u transferua në Shtetet e Bashkuara në fillim të viteve 2000, ku ndërtoi një jetë të re nën identitet të ndryshuar.

Megjithatë, hetimet ndërkombëtare nuk u ndërprenë. Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë paraqiti kërkesën për ekstradimin e tij në SHBA që në vitin 2019. Ndërsa në vitin 2021 autoritetet amerikane intensifikuan verifikimet, duke krahasuar gjurmët e gishtërinjve dhe fotografitë e vjetra me identitetin e ri që përdorte i dyshuari.

Verifikimet konfirmuan se personi që jetonte në SHBA me dokumente të rreme ishte pikërisht Sokol Hoxha, i dënuari për dy vrasjet në Shqipëri dhe për vrasjen në Belgjikë.

Më 5 maj të këtij viti, Hoxha u arrestua në shtetin e Ohajos. Pas përfundimit të procedurave ligjore, autoritetet amerikane vendosën ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykatat shqiptare.

Ndërkohë, burime bëjnë me dije se autoritetet shqiptare kanë nisur komunikimin zyrtar me homologët belgë për transferimin në Shqipëri edhe të dosjes që lidhet me dënimin e tij me burgim të përjetshëm në Belgjikë, me synim koordinimin e procedurave për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me Britaninë e Madhe, ku autoritetet kanë revokuar pasaportën britanike të lëshuar vite më parë në emrin e rremë Hysen Gashi, identitet me të cilin Hoxha kishte hyrë më pas edhe në Shtetet e Bashkuara.

Arrestimi dhe ekstradimi i Sokol Hoxhës konsiderohen si mbyllja e një prej dosjeve më të vjetra dhe më të ndërlikuara të drejtësisë shqiptare, pas afro tre dekadash kërkimesh ndërkombëtare për një person të akuzuar dhe të dënuar për tre vrasje në dy shtete të ndryshme.Tch

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Donika dhe Rifat Muço, dy zemra të mëdha mes detit të Durrësit dhe maleve të Voskopojë

Nga Bujar Qesja ,“Mjeshtër i Madh” DURRËS ,06 gusht 2026/Albania...

Protestë para Kuvendit të Kosovës në nisje të seancës konstituive, thirrje kundër ligjit për shtetësinë

KOSOVË ,06 gusht 2026/Albania Express News/-Lëvizja Revolta ka zhvilluar...

Shpella 560-vjeçare e Koshorishtit në Librazhd, thesari me afreske bizantine që mahnit vizitorët dhe sfidon shekujt

NGA FATMIR POPJA LIBRAZHD ,06 gusht 2026/Albania Express News/-Mes shkëmbinjve...