ELBASAN, 4 tetor 2026 /Albania Express News/- Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin e koduar “Rrjeta 2”, duke goditur një tjetër rast të dyshuar të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Në kuadër të këtij operacioni, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan kanë ndërhyrë në aksin rrugor Elbasan-Peqin, ku kanë kapur në flagrancë shtetasin A. A., 31 vjeç, duke transportuar me automjet 7 shtetas të huaj nga vendet e treta.
Sipas Policisë, nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit e huaj kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Në vijim të veprimeve procedurale, 31-vjeçari A. A. u arrestua në flagrancë, ndërsa pronari i automjetit, shtetasi M. K., 25 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari, u shpall në kërkim.
Automjeti i përdorur për transportimin e shtetasve të huaj është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale, identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë dhe lokalizimin e kapjen e shtetasit M. K.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.

