Flakët vetëm 500 metra larg zonës së banuar dhe bizneseve të fshatit turistik të Gjinarit në Elbasan

ELBASAN, 4 tetor 2026 /Albania Express News/-Situata e krijuar nga zjarri në masivin pyjor të Njësisë Administrative Gjinar në Elbasan është përkeqësuar gjatë orëve të fundit, si pasojë e erës së fortë që ka përfshirë zonën gjatë natës.

Sipas të dhënave zyrtare nga Sektori i Emergjencave Civile dhe MZSH pranë Bashkisë Elbasan, pavarësisht ndërhyrjes intensive të ditës së djeshme, ku u angazhuan më shumë se 100 forca, era ka favorizuar riaktivizimin dhe përhapjen e vatrave të zjarrit, duke dëmtuar pjesërisht rezultatet e arritura nga operacioni i shuarjes.

Aktualisht, flakët janë afruar në rreth 500 metra nga zona ekonomike dhe ajo e banuar e fshatit turistik Gjinar, duke e bërë situatën më të ndjeshme për autoritetet dhe strukturat që po vijojnë operacionin në terren.

Mbi 100 forca në terren

Për përballimin e situatës, këtë të diel në operacion janë angazhuar:
• 15 forca zjarrfikëse të MZSH Elbasan;
• 70 forca të Bashkisë Elbasan;
• 30 forca të Forcave të Armatosura.

Strukturat vendore kanë bërë të ditur se do të kërkohet gjithashtu mbështetje nga strukturat e MZSH-së së Qarkut, me qëllim forcimin e kapaciteteve në terren dhe frenimin e përhapjes së flakëve.

E gjithë përpjekja e strukturave të angazhuara gjatë këtyre ditëve është përqendruar në një objektiv kryesor: parandalimin e depërtimit të zjarrit në kurorën e masivit pyjor të zonës turistike të Gjinarit.

Kërkohet ndërhyrje nga ajri

Pozicioni i vatrave të zjarrit, terreni i vështirë dhe afërsia me zonën e banuar të Gjinarit kanë bërë që strukturat vendore të kërkojnë mbështetje nga ajri me helikopter, për të ndërhyrë në zonat ku aksesi tokësor është i vështirë.

Krahas ndërhyrjes ajrore, është kërkuar edhe shtimi i kapaciteteve njerëzore, me një kërkesë për angazhimin e rreth 30 forcave ushtarake shtesë.

Autoritetet bënë me dijec për Albania Express News se po vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në terren, ndërsa kushtet atmosferike, veçanërisht era, mbeten një faktor që vështirëson ndjeshëm kontrollin e flakëve.

Përparësia e operacionit mbetet izolimi i vatrave të zjarrit, frenimi i përhapjes së tyre dhe mbrojtja e zonës së banuar dhe asaj ekonomike të Gjinarit, si dhe e masivit pyjor që rrethon këtë zonë turistike.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME