Bisedimet ishin intensive, por në fund nuk u arrit marrëveshja. Vokli Laroshi nuk do ta vazhdojë karrierën në Azerbajxhan dhe mbetet një lojtar i lirë, me të ardhmen ende të hapur. Pas largimit nga Gjilani, portieri ka qenë në qendër të interesimit të disa klubeve, fillimisht nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa pista e Azerbajxhanit ishte ajo që avancoi më shumë. Megjithatë, negociatat nuk u mbyllën me sukses dhe gardiani është rikthyer në treg, ku vijon të shqyrtojë alternativat për sezonin e ri.

Statusi i lojtarit të lirë e bën Laroshin një mundësi tërheqëse për klubet, pasi mund të afrohet pa kosto kartoni. Muajin e ardhshëm ai mbush 25 vjeç dhe, me një gjatësi prej 190 centimetrash, plotëson profilin fizik që kërkohet zakonisht për një portier. Formuar në akademinë e Shkëndijës, gjatë karrierës ai ka mbrojtur portën e Turbinës, Partizanit, Llapit dhe së fundmi të Gjilanit. Në elitën e futbollit të Kosovës numëron rreth 40 paraqitje, ndërsa ka zhvilluar edhe një ndeshje në kualifikueset e Ligës së Konferencës. Në të kaluarën ka qenë gjithashtu pjesë e përfaqësueses shqiptare U-21.

Pavarësisht se pista e Azerbajxhanit ka rënë, interesimi për portierin mbetet aktiv. Kontaktet me klubet vazhdojnë dhe nuk përjashtohet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të reja, si nga skuadra të rajonit, ashtu edhe nga kampionate të tjera europiane. Për momentin, Laroshi nuk ka marrë ende një vendim për destinacionin e ardhshëm të karrierës së tij.


