Nga Tirana në Prishtinë, mesazh force dhe vëllazërie / Skender Hita: “Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar një partneritet model mes dy policive”

TIRANË,12 maj 2026/Albania Express News/Në një vizitë të mbushur me simbolikë, respekt institucional dhe mesazhe të forta bashkëpunimi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Policia e Kosovës, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Takimi në Prishtinë nuk ishte vetëm një takim institucional mes dy drejtuesve të lartë të sigurisë, por një dëshmi e qartë e lidhjes së fortë mes dy shteteve shqiptare dhe e partneritetit strategjik që po konsolidohet çdo ditë në luftën kundër kriminalitetit dhe sfidave të sigurisë rajonale.

Me një ton emocional dhe vëllazëror, Drejtues Madhor Skender Hita e përshkroi vizitën si një moment të veçantë në karrierën e tij:

“Ka vende që kur shkel, ndihen më shumë sesa mund të thuhen me fjalë. Prishtina është një prej tyre. Dhe unë sot, në vizitën time të parë zyrtare si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nuk e ndjej këtë si një detyrim protokollar, por si privilegj, sepse jam mes vëllezërve.”

Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, si dhe drejtues të lartë të të dy policive, të cilët vlerësuan rezultatet konkrete të arritura nga bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet dy institucioneve.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, theksoi se koordinimi i vazhdueshëm operacional dhe shkëmbimi i informacionit mbeten elementë kyç për garantimin e sigurisë dhe forcimin e sundimit të ligjit në të dy vendet.

Nga ana tjetër, Skender Hita rikonfirmoi vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të çuar në një tjetër nivel bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, duke vënë theksin tek sfidat moderne të kriminalitetit.

“Krimi sot është më i organizuar, më i sofistikuar dhe pa kufij. Për këtë arsye, edhe përgjigjja jonë duhet të jetë më e shpejtë, më e koordinuar dhe më e fortë. Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar një partneritet model mes dy policive tona dhe ky bashkëpunim do të vijojë të forcohet në shërbim të sigurisë së qytetarëve tanë”, deklaroi Hita.

Gjatë bisedimeve mes dy delegacioneve u diskutuan prioritetet strategjike të dy institucioneve, lufta kundër krimit të organizuar, goditja e kriminalitetit ndërkufitar, menaxhimi i sigurisë kufitare dhe rritja e bashkëpunimit në hetimet dhe operacionet e përbashkëta policore.

Vizita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në Prishtinë vjen si një tjetër hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit mes dy institucioneve të sigurisë, në një kohë kur sfidat rajonale kërkojnë gjithnjë e më shumë koordinim, besim reciprok dhe veprim të përbashkët.

Mesazhi që doli nga Prishtina ishte i qartë: Shqipëria dhe Kosova jo vetëm ndajnë histori, gjuhë dhe komb, por edhe një front të përbashkët në mbrojtje të sigurisë dhe rendit për qytetarët e tyre.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Zbatimi i paqes fiskale, cilat janë bizneset që nuk përfitojnë

TIRANË ,15 maj 2026/Albania Express News/Drejtoria e Tatimeve ka...

Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, ja kush emërohet në vend të Arti Papajanit

TIRANË,15 maj 2026/Albania Express News News/Arti Papajani është shkarkuar...