Nga rrënojat e tërmetit në një shkollë model europian, “Jonuz Çarçiu” në Tregan transformohet totalisht

ELBASAN/7 maj 2026/Albania Express News/Një tjetër investim i rëndësishëm në arsimin e Qarkut të Elbasanit po merr vlerësime maksimale nga komuniteti, teksa shkolla “Jonuz Çarçiu” në Tregan është shndërruar tashmë në një institucion modern, bashkëkohor dhe me standarde europiane.

Falë bashkëpunimit mes Bashkisë Elbasan dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, godina e shkollës, e cila ishte dëmtuar rëndë nga tërmeti, është rindërtuar plotësisht nga e para, duke i dhënë zonës një hapësirë dinjitoze dhe moderne për edukimin e fëmijëve.

Shkolla e re ofron kushte bashkëkohore mësimore, laborator teknologjie, palestër, ambiente të dedikuara për zhvillimin dixhital, si dhe hapësira edukative që synojnë përgatitjen e nxënësve për sfidat e së ardhmes.

Gjatë një vizite në ambientet e shkollës, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, deputetja Evis Kushi dhe drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit, Vesa Llanaj Liço, panë nga afër investimet e realizuara dhe u njohën me kushtet e reja që tashmë kanë në dispozicion nxënësit dhe stafi pedagogjik.

Në fjalën e saj, drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit, Vesa Llanaj Liço, vuri theksin te bashkëpunimi mes shkollës dhe komunitetit, duke e cilësuar atë si çelësin e suksesit për realizimin e projekteve të tilla.

Sipas saj, laboratori i teknologjisë është një shembull konkret se si angazhimi i mësuesve, drejtuesve dhe komunitetit sjell rezultate të prekshme në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe krijimin e kushteve më të mira për fëmijët.

Ndërkohë, deputetja Evis Kushi u shpreh e emocionuar nga transformimi rrënjësor i shkollës, duke kujtuar vështirësitë që komuniteti kishte përjetuar për vite me radhë për shkak të kushteve të amortizuara.

Ajo theksoi se sot shkolla “Jonuz Çarçiu” përfaqëson një investim të merituar për mësuesit, nxënësit dhe prindërit, ndërsa shtoi se institucione të tilla moderne janë të rralla edhe në qendrat urbane.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku Gledian Llatja deklaroi se investimet në teknologji dhe inteligjencë artificiale do të jenë prioritet i rëndësishëm për arsimin në Elbasan.

Ai nënvizoi se ngritja e laboratorit të TIK-ut në këtë shkollë është një hap konkret drejt modernizimit të sistemit arsimor, ndërsa paralajmëroi se modeli do të shtrihet gradualisht në të gjitha shkollat e qytetit dhe zonave rurale.

“Teknologjia është e ardhmja dhe nxënësit duhet të kenë mundësi të barabarta, pavarësisht nëse jetojnë në qytet apo në fshat”, u shpreh Llatja, duke theksuar se laboratorët e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale janë thelbësorë për përgatitjen e brezit të ri në një botë gjithnjë e më digjitale.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Fshati Levrushk në Pukë, mes gjelbërimit dhe maleve

PUKË, 16maj 2026 /Albanoa Express News/ Mes peizazheve të...

Ansambli “Gurra e Kurbinit” shkëlqen në festivalet mbarëkombëtare, rrëmben çmime dhe zemrat e publikut

Nga Imer Hysa KURBIN,16 maj 2026/Albania Express News/Ansambli “Gurra e...

Zbatimi i paqes fiskale, cilat janë bizneset që nuk përfitojnë

TIRANË ,15 maj 2026/Albania Express News/Drejtoria e Tatimeve ka...