Nga pengmarrja në Londër te tragjedia e fundit , historia e Nertil Buzit dhe operacioni ndërkombëtar që i shpëtoi jetën katër vite më parë

LONDËR ,26 korrik 2026/Albania Express News/-Nertil Buzi, i cili mbrëmjen e së premtes vrau dy prindërit e ish-të fejuarës, mori peng këtë të fundit dhe më pas i dha fund jetës, kishte qenë vetë protagonist i një prej rasteve më të rënda të pengmarrjes së shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar.

Shqiptarë që e kishin njohur në Londër e përshkruajnë si një person që “kishte bërë shumë gola”, një shprehje e përdorur në zhargonin e grupeve kriminale për persona që akuzohen për moskorrektësi në aktivitetet e paligjshme, si trafiku i drogës apo grabitja e shtëpive të kanabisit.

Pengmarrja në Londër

Ngjarja daton në fund të shtatorit 2022, kur një grup kriminal me aktivitet në Manchester e bindi Buzin të shkonte në një hotel në lindje të Londrës, nën pretekstin e një takimi për të zgjidhur mosmarrëveshje që lidhej me disa shtëpi kanabisi.

Pa e ditur se po binte në një kurth, sapo hyri në dhomën e hotelit ai u neutralizua, u lidh me zinxhir pas radiatorit dhe iu mbyll goja me shirit ngjitës.

Pengmarrësit kërkuan prej tij 400 mijë stërlina, duke pretenduar se u detyrohej këtë shumë. Pas dy ditësh torturash kuptuan se Buzi nuk i kishte paratë në Angli, pasi sipas tij ato ndodheshin në Shqipëri.

Kërkesa për shpërblim ndaj familjes

Autorët nisën të kontaktonin familjarët në Shqipëri përmes telefonit të Buzit. Me video-telefonata ata shfaqnin pengun të lidhur dhe të dhunuar, ndërsa kërkonin që 400 mijë stërlinat të dorëzoheshin në Vlorë, duke kërcënuar se në të kundërt ai do të ekzekutohej.

Sipas dëshmive, gjatë një prej telefonatave Buzi u torturua para kamerës, ndërsa familjarët asistonin në kohë reale skenat e dhunës.

Aktivizimi i autoriteteve shqiptare dhe britanike

Pasi kuptoi seriozitetin e situatës, vëllai i Nertil Buzit iu drejtua Policisë në Fier. Informacioni u përcoll me procedurë urgjente drejt strukturave qendrore të Policisë së Shtetit, të cilat nisën menjëherë bashkëpunimin me autoritetet britanike.

Operacioni u koordinua mes Policisë së Shtetit, Policisë Metropolitane të Londrës (Met Police) dhe Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit (NCA).

Përmes sinjalit të telefonit të pengut u identifikua zona ku ndodhej hoteli. Agjentë të specializuar u vendosën në vëzhgim, ndërsa dy police femra rezervuan dhoma në të njëjtin hotel për të identifikuar vendndodhjen e saktë të pengut.

Pamjet e kamerave të sigurisë zbuluan momentin kur Buzi kishte hyrë në hotel dhe dhomën ku mbahej i izoluar. Paralelisht, përgjimet telefonike ndihmuan në identifikimin e pjesëtarëve të grupit kriminal.

Operacioni i shpëtimit

Pasi u konfirmua vendndodhja e pengut, Met Police hartoi planin për ndërhyrje, ndërsa mbetej e paqartë nëse autorët ishin të armatosur.

Gjatë orëve të natës, forcat speciale ndërhynë në hotel. Fillimisht u përdor gaz neutralizues dhe më pas u arrestuan personat që ndodheshin në dhomë.

Nertil Buzi u gjet në gjendje të rënduar fizike dhe psikologjike si pasojë e torturave të vazhdueshme dhe u transportua menjëherë në spital nën mbrojtjen e policisë.

Arrestimet dhe procesi gjyqësor

Pas operacionit, autoritetet britanike arrestuan gjashtë shtetas shqiptarë të dyshuar për pengmarrje, burgosje të rreme dhe kërcënim për vrasje.

Mes tyre ishin Nelid Arapi, i njohur me nofkën “Kid Vlonjati”, Xhon Guveli, Fation Arapi, Armando Brahashaj, Eduart Çepele dhe Emanuela Arapi.

Pas rikuperimit, Buzi bashkëpunoi me hetuesit dhe fillimisht pranoi të ishte dëshmitari kryesor i prokurorisë, duke u strehuar për një periudhë në një “safe house” të Met Police.

Megjithatë, gjatë procesit gjyqësor në Harrow Crown Court, prokuroria britanike hoqi dorë nga akuzat kryesore për pengmarrje, burgosje të rreme dhe kërcënim për vrasje ndaj pesë prej të arrestuarve, të cilët u liruan nga gjykata.

Vetëm Nelid Arapi u dënua më 15 prill 2024 me 16 muaj burg për posedim të kanabisit me qëllim shpërndarjeje.

Dy hipotezat mbi dështimin e çështjes

Sipas burimeve që kanë ndjekur hetimin, dështimi i procesit penal mund të ketë ardhur për dy arsye.

Hipoteza e parë është se Nertil Buzi mund të jetë tërhequr nga dëshmia e tij kundër pengmarrësve.

Hipoteza e dytë lidhet me strategjinë e mbrojtjes, e cila synonte ta paraqiste Buzin si të përfshirë në veprimtari kriminale, çka mund të dobësonte ndjeshëm çështjen e prokurorisë përpara gjykatës.

Pavarësisht rezultatit të procesit gjyqësor, operacioni i koordinuar mes autoriteteve shqiptare dhe britanike mbetet një nga rastet më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar, pasi arriti të shpëtonte gjallë pengun pas disa ditësh torturash. Katër vite më vonë, historia e Nertil Buzit do të përfundonte në mënyrë tragjike, me ngjarjen e rëndë që tronditi opinionin publik.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Top 10 futbollistët më të vlefshëm në histori: Yamal në krye, Messi dhe Mbappe në listën elitare

SPANJË ,26 korrik 2026/Albania Express News/-Portali spanjoll AS ka...

Mbi 20 mijë aplikime kualifikohen për masat 5–9 të Skemës Kombëtare të Bujqësisë 2026

TIRANË, 26 korrik 2026 /Albania Express News/ -Agjencia për...

“Paketa e Maleve”, Bardhi: Në e-Albania ofrohet qartë mundësia për të aplikuar si “shtetas i huaj”

TIRANË, 26 korrik 2026/Albania Express News/ -Kryetari i grupit...