Nga një nismë e vogël në skenën kombëtare: Ansambli “Shebeniku” që ringjall traditën në Hotolisht

LIBRAZHD,5 maj 2026/Albania Express News/Në një kohë kur ruajtja e trashëgimisë kulturore kërkon gjithnjë e më shumë përkushtim dhe angazhim, një nismë e re nga zona e Hotolishtit vjen si një shembull frymëzues. Ansambli folklorik “Shebeniku”, i krijuar vetëm pak muaj më parë pranë shkollës së mesme të bashkuar “Rrahman Çota”, ka arritur të bëjë një debutim dinjitoz në skenën kombëtare, duke marrë pjesë në Festivalin Kombëtar të Riteve dhe Lojërave Popullore, zhvilluar në Burrel më 1–2 maj 2026.

Ky ansambël nuk është thjesht një grup artistik i sapokrijuar, por një dëshmi e gjallë e fuqisë së bashkëpunimit ndërbrezor dhe e dashurisë për traditën. Në themel të tij qëndron puna e palodhur dhe përvoja e gjatë e Shefki Kurtit, i vleresuar si laureat i disa festivaleve kombetare te Gjirokastres,një figurë e njohur në skenën folklorike shqiptare. Me mbi 40 vite përvojë si instrumentist pranë Pallatit të Kulturës në Librazhd dhe si pjesëmarrës në ansamble të njohura si “Çermenika” dhe “Sadi Halili”, ai ka qenë një ndër shtyllat kryesore në ngritjen dhe formësimin artistik të këtij grupi të ri.
Krah tij është angazhuar edhe Haxhi Balliu, i cili, edhe pse në pension, vijon të mbetet një mbështetje e çmuar për artin dhe trashëgiminë kulturore. Ky bashkëpunim është bërë i mundur falë një koordinimi të mirë me drejtuesit e shkollës, në veçanti me drejtoreshën Arjana Çekrezi, e cila ka mbështetur dhe inkurajuar vazhdimisht këtë iniciativë.
Një nga aspektet më të veçanta të ansamblit “Shebeniku” është përfshirja e gjerë e të rinjve. Rreth 60 nxënës, që nga cikli i ulët (klasa e tretë) e deri tek gjimnazistët, janë bërë pjesë aktive e këtij grupi, duke gjetur kohë për prova të rregullta disa herë në javë. Ky angazhim i tyre tregon jo vetëm interesin për artin, por edhe potencialin që ekziston për të mbajtur gjallë dhe për të zhvilluar më tej traditat tona kulturore.
Punes se ketij ansambli disa dite me pare i kushtoi vemendje edhe televizioni “abc news” ne nje emision te posacem kushtuar fshatit te Dardhes sin je nga 100 fshatrat turistike te Shqiperise.
Në këtë ansambël ndërthuren bukur energjia e të rinjve me përvojën e brezave më të vjetër. Pjesë e tij janë edhe valltarë të njohur si Xhevat Hysa dhe Nuri Çota, të cilët sjellin në skenë autenticitet dhe finesë artistike. Po ashtu, ansambli pasurohet nga interpretimi i instrumentistëve virtuozë si Agron Hasanaj, si dhe Kujtim e Ilir Hasanaj, të cilët i japin një dimension të veçantë muzikor performancave.
Pjesëmarrja në festivalin kombëtar në Burrel përbën një hap të rëndësishëm për këtë ansambël të ri, duke e vendosur atë në hartën e aktiviteteve kulturore në nivel kombëtar. Ky debutim është një dëshmi e qartë se kur pasioni, përvoja dhe mbështetja institucionale bashkohen, rezultatet nuk mungojnë.
Ne kete festival ,ansambli”Shebeniku” u paraqit me rite te dasmes ne Hotolisht,qe nga pritja e nuses,rruajta e dhenderit,kenga e burrave”Plot molla me lule te bardha”,valle dyshe si dhe vallja e Rrajces.
Duartrokitjet e para u moren qe ne defilene e grupeve pjesmarrese ,ku binte ne sy jo vetem veshja ,por edhe paraqitja e mire e valltareve,duke vazhduar edhe me shfaqjen ne skene ku moren “Cmimine publikut”.
“Shebeniku” tashmë është më shumë se një ansambël — është një simbol i ruajtjes së identitetit kulturor, një hapësirë ku brezat takohen dhe një shpresë për vazhdimësinë e traditës sonë. Nisma të tilla tregojnë se trashëgimia kulturore nuk është vetëm e shkuara jonë, por një pasuri që jeton dhe zhvillohet përmes të rinjve.
Ky është një shembull që meriton të vlerësohet dhe të mbështetet, pasi dëshmon se edhe në komunitete të vogla mund të lindin iniciativa me ndikim të madh kulturor.
Urime dhe suksese të mëtejshme Ansamblit “Shebeniku” dhe të gjithë atyre që po kontribuojnë për ta mbajtur gjallë këtë trashëgimi të vyer!

Screenshot

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Dinamo City mund pastër Vllazninë, i jep shkodranëve një “shuplakë” të rëndë për titullin kampion

TIRANË,16 maj 2026/Albania Express News/Dinamo City  mposht Vllazninë në...

Karton i kuq dhe gol në fund, Teuta mposht Pogradecin mes vështirësish dhe siguron qëndrimin në Kategorinë Superiore

DURRËS,16 maj 2026/Albania Express News/Mes shumë vështirësish, pas një...

Marlin Janko nga Divjaka , ylli i ardhshëm i muzikës shqiptare që me zërin e saj edhe pse vetëm 8 vjeçe po...

NGA FATMIR POPJA DIVJAKË,16 maj 2026/Albania Express News/Në botën e...