NGA FATMIR POPJA
ELBASAN,22 prill 2026/Albania Express News/
Ka histori që duken të pamundura… derisa ndodhin. Rrugëtimi i AF Elbasani është pikërisht një prej tyre .Nga terrenet modeste të Kategorisë së Tretë, në pragun e një finaleje të madhe dhe me sytë të kthyer nga Europa.
Sot, në orën 19:00 në stadiumin Elbasan Arena, verdheblutë do të përballen me KF Egnatia në një duel që vlen më shumë se një biletë për në finale ,vlen konfirmimin e një revolucioni sportiv që ka marrë jetë në Elbasan.
Nën drejtimin e trajnerit Ivan Gvozdenoviç, skuadra ka gjetur identitet, karakter dhe uri për sukses. Një ekip që nuk kënaqet më me pjesëmarrjen, por kërkon trofe. Dhe kjo “uri” nuk është rastësi ,është produkt i një pune të ndërtuar mbi themele të forta.
Historia e këtij klubi është një histori sakrificash ,këmbënguljeje dhe suksesesh. Pas vitit 2021, kur gjithçka nisi nga e para dhe sipas rregullores pjesmarrja në garat zyrtare duhej nisur në Kategorinë e Tretë, shumë pak besonin se AF Elbasani do të ngjitej kaq shpejt në majat e futbollit shqiptar. Por sot, realiteti flet ndryshe.AF Elbasani sot është një skuadër pretendente për titull dhe një nga favoritët kryesorë për Kupën e Shqipërisë.
Entuziazmi në kampin verdheblu është në kulm. Në konferencën për shtyp dje , trajneri Gvozdenoviç premtoi “luftë” deri në fund ,jo vetëm për fitore, por për të nderuar qytetin, tifozët dhe historinë e klubit. Dhe kjo frymë reflektohet në çdo ndeshje.Një ekip i vendosur, i disiplinuar dhe gjithnjë në kërkim të dominimit si në Kampionatin e Superiores edhe në Kupën e Shqipërisë.
Por suksesi nuk është vetëm meritë e fushës. Është një bashkëpunim dhe harmoni e plotë mes futbollistëve, stafit teknik dhe presidencës, e cila ka krijuar kushte optimale në çdo aspekt. Një model organizimi që sot shihet si “shembull” në futbollin shqiptar.
Ndërkohë, një rol të jashtëzakonshëm luan edhe tifozëria. Në Elbasan Arena dhe në çdo stadium ku luan AF Elbasani, mbështetja është e zjarrtë ,një “uragan” emocionesh që shtyn ekipin përpara. Madje, një fenomen i veçantë ka marrë vëmendje nga të gjithë dhe kudo.Prej disa javësh ka prani në rritje e grave dhe vajzave në tribunën kryesore dhe jo vetëm të stadiumit Elbasan Arena. Një iniciativë e klubit për hyrjen falas të tyre ka sjellë një atmosferë të re, më gjithëpërfshirëse, që rrallë shihet jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë.
E gjithë kjo ka bërë që një qytet i tërë të çohet në këmbë. Elbasani po jeton sërish me futbollin, me ëndrrën e trofeut dhe me shpresën e një rikthimi të madh në arenën europiane.
Dhe nëse kjo finale arrihet, nuk do të jetë thjesht një sukses sportiv ,do të jetë simboli i një rilindjeje. Një dëshmi se me vizion, punë dhe besim, edhe rrugëtimet më të vështira mund të të çojnë drejt lavdisë.


