BOTA ,27 korrik 2026 /Albania Express News/-Një javë pasi drejtoi finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, arbitri slloven Slavko Vinçiç ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si gjyqtar ndërkombëtar. 46-vjeçari e mbyll kështu një rrugëtim të gjatë në elitën e futbollit europian dhe botëror, me finalen e Botërorit si ndeshjen e fundit të karrierës së tij.
Vinçiç ishte në qendër të vëmendjes gjatë finales së zhvilluar mes Spanjës dhe Argjentinës, ku mori një nga vendimet më të rëndësishme të ndeshjes. Në minutat shtesë të kohës së rregullt ai ndëshkoi me karton të kuq Enzo Fernández, pas kartonit të dytë të verdhë, duke e lënë Argjentinën me 10 lojtarë për gjithë kohën shtesë. Më pas, Spanja shënoi golin e fitores me Ferran Torres dhe u shpall kampione e botës.
Pavarësisht polemikave që shoqëruan finalen dhe incidenteve pas përfundimit të saj, Vinçiç largohet me një reputacion të shkëlqyer. Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS) e shpalli atë arbitrin më të mirë të Botërorit 2026, ndërsa ai u nderua edhe me çmimin prestigjioz “Giulio Campanati”.
Gjatë karrierës së tij, slloveni arbitroi finalen e Ligës së Kampioneve në vitin 2024, tre finale të Ligës së Europës dhe shumë ndeshje të mëdha të UEFA-s e FIFA-s. Me largimin e tij, Vinçiç mbetet arbitri i parë slloven që ka drejtuar një finale të Kupës së Botës, duke e mbyllur karrierën në skenën më të madhe të futbollit.

