Elbasani u kthye për disa ditë rresht në zemrën e artit kombëtar, teksa mbrëmjen e djeshme u përmbyll me sukses të jashtëzakonshëm ekspozita e kolonisë së piktorëve “Skampis 2025”, një event që mblodhi në këtë qytet emra të njohur të penelit nga Elbasani dhe nga të gjitha trevat shqiptare.
Nën temën “Elbasani turistik nën gjurmët e penelit”, piktorët sollën në telajo identitetin, historinë, qetësinë dhe magjinë turistike të këtij qyteti dhe zonave përreth.
Hapja e ekspozitës në hollin e Teatrit “Skampa” u shoqërua me një fluks të pazakontë vizitorësh. Qytetarët e Elbasanit, të apasionuar pas artit, u bashkuan me autoritetet vendore dhe personalitete të njohura, mes të cilëve Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, Kryetarja e Këshillit të Qarkut, Ermira Urupi, deputetët Aulona Bylykbashi dhe Agron Gaxho, si edhe figura të shquara nga fusha të ndryshme, duke e kthyer këtë event në një festë të artit pamor.

Piktorë nga gjithë trevat, një galeri gjallëruese e Elbasanit turistik
Në këtë edicion morën pjesë piktorët:
Agron Polovina, Alion Cano, Buron Kaceli, Dashnor Kulolli, Emirjona Stasi Nako, Edi Kojani, Elmal Baboci, Fatmir Dardha, Gazmend Leka, Gazmend Kafa, Helidon Haliti, Sadik Kasa, Nasuf Myftari, Nikolin Ivani, Kudret Durollari, Romeo Kallco, Sefedin Stafa, Vangjo Vasili, Zaim Elezi dhe Kristian Zara.
Punimet e tyre, nga qyteti, Bysheku, Gjinari, Funari, Shushica e deri tek thesaret e vjetër të Kalasë, përbënin një udhëtim të plotë e të pasur për çdo vizitor.

Llatja: “Një pasuri e çmuar për promovimin turistik të Elbasanit”
Kryebashkiaku Gledian Llatja vlerësoi lart punimet e artistëve, duke i konsideruar ato një impuls të rëndësishëm për promovimin e destinacioneve turistike të Bashkisë Elbasan. “Çdo pikturë është një histori më vete. Ju falënderoj për artin që sollët në dritë dhe për promovimin e bukurive të qytetit tonë,” u shpreh ai.

Kovaçi dhe Kapaj: arti është themeli i identitetit kulturor të qytetit
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Kulturës dhe Sportit, Artin Kovaçi, vlerësoi përkushtimin e artistëve dhe rëndësinë që të tilla iniciativa kanë për zhvillimin kulturor të qytetit. Ai theksoi se bashkia do të vazhdojë të mbështesë aktivitetet që ngrenë lart identitetin artistik të Elbasanit dhe rikthejnë artin pranë komunitetit.
Po ashtu, Drejtori i Kulturës, Kliton Kapaj, u shpreh se “Skampis 2025” është shembull i bashkëpunimit të suksesshëm mes institucioneve dhe artistëve, duke i dhënë qytetit energji të re kulturore. Ai nënvizoi se vizioni i strukturave kulturore të Bashkisë Elbasan është të krijojnë evente që jo vetëm promovojnë talentet vendase, por edhe e vendosin qytetin në hartën kombëtare të artit bashkëkohor.

Sadik Kasa: “Elbasani e do artin; mungesa e piktoreve femra, sfidë e terrenit në natyrë”
Piktori Sadik Kasa vlerësoi tematikën e zgjedhur dhe ndikimin e saj turistik. “Turizmi elitar kërkon pikërisht këtë lloj arti,” tha ai. Kasa nënvizoi suksesin e madh të aktivitetit dhe pjesëmarrjen e emrave të shquar, ndërsa vuri në dukje se mungesa e piktoreve femra lidhet me vështirësitë e punës në terren dhe kohëzgjatjen e saj.
Nasuf Myftari: “Një hov i ri për artin pamor në qytet”
Për piktorin Nasuf Myftari, ky ishte edicioni i tij i dytë, i cili solli me vete më shumë pjesëmarrës dhe më shumë energji. Ai realizoi dy piktura, të cilat u vlerësuan maksimalisht: një me portën e Kalasë së Elbasanit dhe një tjetër në Byshek. “Pjesëmarrja e të rinjve ishte një vlerë e shtuar për këtë koloni. Ata sollën dritë, vizion dhe syrin modern të brezit të ri,” theksoi ai.

Helidon Haliti: “Tre breza së bashku, një mesazh i fuqishëm për të ardhmen”
Piktori i mirënjohur Helidon Haliti u shpreh i impresionuar nga fryma e bashkimit mes brezave të ndryshëm të artit. “Ekspozita tregoi qartë se një investim i tillë artistësh nxjerr në pah thesaret turistike të Elbasanit. Ishte një udhëtim nga e djeshmja drejt të ardhmes,” deklaroi Haliti.
Gazmend Leka: “Elbasani meriton Galerinë e Artit; koha për ta bërë realitet”
I ftuari special, piktori i njohur Gazmend Leka, dha një mesazh që u prit me interes të madh. Hapja e Galerisë së Artit në Elbasan duhet të jetë prioritet i institucioneve. Ai theksoi se qyteti ka histori, kala, traditë dhe një lice të respektuar, ndërsa ky event tregoi se Elbasani ka komunitet të fuqishëm artistësh dhe publik që e merr artin seriozisht.
“Galeria do të rigjallëronte jetën kulturore dhe do të krijonte identitet të qëndrueshëm artistik për qytetin,” u shpreh Leka.

Nxënësit, surpriza më e bukur e ekspozitës
Ajo që ra në sy gjatë gjithë kohës ishte pjesëmarrja masive e nxënësve të shkollave të Elbasanit. Të apasionuar pas artit, ata u panë me blloqe skicimi në duar, duke vëzhguar, duke mësuar dhe duke u frymëzuar nga mjeshtrit e penelit.
Çdo piktor, një pikturë dhuratë për qytetin
Në shenjë mirënjohjeje për mikpritjen dhe bashkëpunimin, të gjithë piktorët pjesëmarrës dhuruan nga një pikturë për Bashkinë e Elbasanit, një gjest simbolik që pasuron fondin artistik të qytetit dhe i jep forcë vizionit për hapjen e Galerisë së Artit.

Skampis 2025, një premtim për t’u rikthyer edhe më madhështor
Kolonia e Piktorëve “Skampis 2025” konfirmoi edhe një herë se Elbasani është një platformë e rëndësishme kulturore, ku arti merr frymë lirshëm, ku talentet rriten dhe ku turizmi gjen një partner të fortë në kulturë.
Ky edicion nuk ishte thjesht një ekspozitë. Ishte një manifest artistik që i tregoi vendit se arti shqiptar ka forcë, ka traditë dhe, mbi të gjitha, ka një të ardhme të ndritshme.

