Ndahet nga jeta mjeku Kujtim Llalla, një nga figurat e shquara të Gramshit

GRAMSH, 15 shtator 2026 /Albania Express News/- Është ndarë nga jeta mjeku i njohur Kujtim Llalla, një prej figurave të spikatura të komunitetit të Gramshit, i cili për dekada me radhë dha kontribut të çmuar në shëndetësi, sport dhe jetën shoqërore të qytetit.

Lajmi është bërë i ditur nga Shoqata  Atdhetare Kulturore Gramshi, e cila ka përcjellë një homazh për Kujtim Llallën, duke e cilësuar atë edhe si një nga anëtarët themelues të kësaj shoqate.

Kujtim Llalla lindi më 2 shkurt 1939 në fshatin Shëmrizë të Gramshit. Arsimin fillor dhe atë 7-vjeçar i kreu në Shëmrizë dhe Gramsh, ndërsa arsimin e mesëm e përfundoi në gjimnazin “29 Nëntori” në Shkodër.

Në vitin 1963 u diplomua si mjek dhe nisi punën në Spitalin e Gramshit, duke u bërë ndër mjekët e parë të qytetit. Gjatë karrierës së tij profesionale u dallua jo vetëm për përkushtimin ndaj profesionit, por edhe për aftësitë organizative dhe kontributin në drejtimin e institucioneve shëndetësore.

Llalla ka mbajtur detyrën e drejtorit të Spitalit të Gramshit, ndërsa më pas ka shërbyer edhe si përgjegjës i Seksionit të Shëndetësisë pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit.

Përtej profesionit të mjekut, Kujtim Llalla ishte i lidhur ngushtë edhe me sportin, veçanërisht me futbollin. Ai e nisi aktivitetin sportiv në Shkodër, ku luajti me ekipin e “Vllaznisë”, ndërsa më pas vijoi me ekipet e Tiranës dhe Dinamos.

Në Gramsh, kontributi i tij në sport u shqua si në rolin e sportistit, ashtu edhe në atë të trajnerit të ekipit “10 Korriku”, duke u bërë pjesë e historisë sportive të qytetit.

Pas daljes në pension, ai u vendos fillimisht me familjen në Tiranë dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por lidhja me Gramshin dhe komunitetin e tij mbeti e pandarë.

Me ndarjen e tij nga jeta, Gramshi humbet një mjek të përkushtuar, një sportist e trajner të njohur dhe një personalitet që la gjurmë në disa fusha të jetës së komunitetit.

Shoqata  Atdhetare Kulturore Gramshi ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan me doktor Kujtim Llallën.

U prehtë në paqe!

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME