Moment magjik në 70 vjetorin e komentatorit legjendar Moisi Dalipaj: Presidenti Armando Duka lidhet “live” nga “Botërori 2026 ” në SHBA dhe emocionon gazetarët , komentatorët dhe gjithë të tjerët

NGA FATMIR POPJA

TIRANË ,27 qershor 2026/Albania Express News /-Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka dhuruar një nga momentet më emocionuese të festës së organizuar me rastin e 70-vjetorit të lindjes së komentatorit të shquar sportiv, Moisi Dalipaj. Edhe pse ndodhej mijëra kilometra larg, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po ndjek nga afër ndeshjet e Botërorit 2026, Duka u lidh “live” me të pranishmit për të uruar mikun e tij të hershëm, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion.

Surpriza ishte organizuar në fshehtësi dhe askush nuk e priste që presidenti i FSHF-së të shfaqej në ekran për të përshëndetur një nga figurat më të respektuara të gazetarisë sportive shqiptare. Sapo u dëgjua zëri i Armando Dukës, salla shpërtheu në duartrokitje të gjata, ndërsa vetë Moisi Dalipaj u emocionua dukshëm, duke falënderuar vazhdimisht për këtë vlerësim të veçantë.

Në fjalën e tij, Armando Duka tregoi edhe një herë anën njerëzore, thjeshtësinë dhe qytetarinë që e kanë karakterizuar gjatë gjithë karrierës së tij si drejtues i futbollit shqiptar.

“Do të kisha dashur shumë të isha sot mes jush për të festuar 70-vjetorin e Moisiut. Aktualisht ndodhem në SHBA për ndeshjet e Botërorit, por nuk mund të mungoja me një urim për mikun tim të vjetër,” – u shpreh Duka.

Ai kujtoi se miqësia me Moisi Dalipajn nuk lindi në botën e sportit, por shumë vite më parë, që në bankat e universitetit.

“Me gazetarin Moisi Dalipaj shoqëria jonë e ka zanafillën në Universitet, shumë kohë përpara se të bëheshim pjesë e jetës sportive. Kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi marrëdhënie shumë të mira. I uroj jetë të gjatë, shëndet të plotë dhe çdo të mirë që i do zemra. Uroj gjithashtu familjen e tij, fëmijët, nipërit dhe mbesat.”

Një moment veçanërisht prekës ishte kur presidenti i FSHF-së foli për pasionin dhe dashurinë që familja Dalipaj ka për futbollin.

“Ata jetojnë me futbollin. Sidomos nipi i tij i vogël, futbollisti i dashur, që bashkë me Moisiun nuk lënë ndeshje të Kombëtares pa ndjekur në stadium.”

Këto fjalë u pritën me emocione të forta nga familjarët, kolegët dhe miqtë e pranishëm, të cilët e shoqëruan përshëndetjen me duartrokitje të gjata e të zjarrta.

Pas urimit, atmosfera u bë edhe më miqësore, pasi gazetarët dhe komentatorët sportivë nisën një bisedë të lirshme live me presidentin e FSHF-së. Mes batutave nuk munguan pyetjet nëse ishte takuar me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, apo se cilën skuadër mbështeste në Kupën e Botës 2026.

Me humor, Armando Duka iu përgjigj pyetjeve, ndërsa foli edhe për preferencat e tij sportive.

“Kam qenë gjithmonë tifoz i flaktë i Brazilit, por duhet ta pranoj se entuziazmi më ka rënë disi. Tani më vjen keq sepse mendoj se edhe Shqipëria mund të kishte qenë pjesë e finaleve të këtij Botërori.”

Presidenti i FSHF-së ndau edhe përshtypjet për ecurinë e Kampionatit Botëror, duke vlerësuar nivelin e lartë të skuadrave që nuk konsiderohen tradicionalisht favorite.

“Sipas meje ju tha Duka gazetarëve , ndeshjet më të bukura deri tani janë zhvilluar pikërisht nga skuadrat që nuk janë emra të mëdhenj të futbollit botëror. Ndeshja që më ka pëlqyer më shumë ka qenë Uruguai – Arabia Saudite, ndërsa për momentin skuadra që duket më e fortë është Franca.”

Interesi i gazetarëve u përqendrua edhe tek takimet që Armando Duka ka zhvilluar gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai bëri të ditur se gjatë Botërorit është takuar me shumë figura të njohura të futbollit ndërkombëtar.

“Jam takuar dhe kam biseduar me shumë personalitete të sportit, me futbollistë të mëdhenj të historisë së Kampionateve Botërore dhe me shumë personazhe të njohur. Por pjesën më të madhe të kohës gjatë këtyre finaleve po e kaloj me Roberto Baggio.”

Kjo deklaratë u prit me interes të madh nga të pranishmit, pasi legjenda italiane Roberto Baggio mbetet një nga ikonat më të mëdha të futbollit botëror.

Mbrëmja kushtuar 70-vjetorit të Moisi Dalipajt u shndërrua kështu në një festë emocionesh, kujtimesh dhe respekti për një prej emrave më të dashur të gazetarisë sportive shqiptare ,sidomos i Emisionit “Nga Njëra Ndeshje në Tjetrën ” në Radio Tirana .Surpriza e Armando Dukës ishte padyshim kulmi i aktivitetit, duke dëshmuar se miqësitë e vërteta nuk njohin distanca dhe se respekti për njerëzit që kanë dhënë kontribut të çmuar për sportin shqiptar mbetet gjithmonë i gjallë.

Urimi i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit ishte shumë më tepër se një përshëndetje festive. Ai ishte një mesazh vlerësimi për një komentator që për dekada ka përcjellë emocionet e futbollit në çdo familje shqiptare dhe një dëshmi se figura si Moisi Dalipaj vazhdojnë të gëzojnë respektin dhe mirënjohjen e të gjithë komunitetit sportiv shqiptar.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME