GJIROKASTËR, 24 prill 2026 /Albania Express News/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, së bashku me drejtuesen politike të qarkut Gjirokastër dhe njëherazi ministre e Arsimit, Mirela Kumbaro dhe kryebashkiakun Flamur Golemi, zhvilluan një takim me profesionistë të ligjit në këtë qark, në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, ku në fokus ishin “Punët e Drejtësisë” dhe roli i drejtësisë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror.
Në fjalën e tij, ministri theksoi se, drejtësia është “infrastruktura që nuk shihet, por që mban në këmbë çdo sektor të zhvillimit”, duke nënvizuar se pa siguri ligjore nuk mund të ketë turizëm të qëndrueshëm dhe as mbrojtje efektive të trashëgimisë kulturore.
“Nuk mund të bëjmë turizëm pa siguri ligjore, as për turistët dhe as për mikpritësit. Nuk mund të mbrojmë trashëgiminë tonë kulturore pa e mbrojtur atë me ligj”, u shpreh Gogu.
Ai shtoi se punët e drejtësisë janë ende të papërsosura, por disa shërbime po japin rezultate konkrete, si Ndihma Juridike Falas, Përmbarimi Shtetëror dhe Shërbimi i Provës, të cilat kanë rritur aksesin e qytetarëve në drejtësi dhe zbatimin e vendimeve.
Duke folur për reformën në drejtësi, ministri Gogu e cilësoi atë si një proces 10-vjeçar që ka sjellë ndryshime thelbësore në sistem.
“Ndarja përfundimtare e politikës nga drejtësia, fundi i pandëshkueshmërisë dhe ndërtimi i një sistemi të pavarur janë arritje që sot njihen edhe ndërkombëtarisht”, deklaroi ai.
Gogu bëri të ditur se Shqipëria ndodhet në një moment kyç të procesit të integrimit europian, duke shtuar se pritet së shpejti një vlerësim pozitiv për mbylljen e piketave të ndërmjetme dhe kalimin në fazën e mbylljes së kapitujve të negociatave.
“Ky nuk është rezultat i 18 muajve, por i 10 viteve punë të të gjithë shtetit shqiptar”, u shpreh ministri, duke shtuar se objektivi është përmbyllja e një pjese të konsiderueshme të kapitujve brenda këtij viti.

