Ministri Andis Salla nga Kurbini: Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” do të lehtësojë financimin për fermerët dhe sipërmarrjet bujqësore

KURBIN ,TIRANË ,28 korrik 2026/Albania Express News/-Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një vizitë në agroturizmin “Lahuta e Vjetër” në Kurbin, ku prezantoi nga afër rezultatet e mbështetjes së dhënë nga Qeveria Shqiptare për zhvillimin e sipërmarrjeve rurale. Vizita u shndërrua në një mesazh të qartë për fermerët dhe investitorët në bujqësi, duke theksuar se politikat e mbështetjes financiare po krijojnë mundësi reale për zgjerimin e aktivitetit, rritjen e punësimit dhe zhvillimin e ekonomisë lokale.

Gjatë takimit, ministri vlerësoi “Lahutën e Vjetër” si një model të suksesshëm të ndërthurjes së agroturizmit me prodhimin bujqësor dhe blegtoral. Ai theksoi se kjo sipërmarrje ka arritur të zgjerojë aktivitetin falë financimit të përfituar nga programet mbështetëse të qeverisë, duke investuar në ndërtimin e bujtinës, zgjerimin e kapaciteteve pritëse dhe ngritjen e një stalle blegtorale përmes instrumentit të Kredisë së Butë me Garanci Sovrane.

Sipas ministrit, këto investime kanë sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e prodhimit, shtimin e vendeve të punës dhe fuqizimin e bashkëpunimit me fermerët e zonës, të cilët furnizojnë sipërmarrjen me produkte vendase cilësore. Ai nënvizoi se ky është një shembull konkret i mënyrës se si mbështetja publike mund të krijojë zinxhirë të qëndrueshëm vlere, duke lidhur prodhimin bujqësor me përpunimin dhe turizmin rural.

Në fokus të vizitës ishte edhe prezantimi i Programit Kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, një nismë që synon të lehtësojë aksesin e fermerëve dhe sipërmarrjeve bujqësore në financim, duke u dhënë mundësi të investojnë në zgjerimin e aktivitetit, modernizimin e fermave dhe rritjen e kapaciteteve përpunuese.

Ministri Salla u bëri thirrje fermerëve, agropërpunuesve dhe sipërmarrësve ruralë të aplikojnë në këtë program, duke e cilësuar atë si një instrument të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit.

“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde është një mundësi konkrete për fermerët dhe sipërmarrësit që të investojnë, të zgjerojnë aktivitetin, të përpunojnë më shumë dhe të krijojnë më shumë vlerë të shtuar përgjatë gjithë zinxhirit agro-ushqimor. Objektivi ynë është të kemi më shumë sipërmarrje të suksesshme që prodhojnë, përpunojnë dhe promovojnë produktet shqiptare me standardet më të larta,” u shpreh ministri.

Ai theksoi se zhvillimi i bujqësisë nuk mund të shihet i shkëputur nga agropërpunimi dhe agroturizmi, pasi këta sektorë plotësojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë më shumë të ardhura për komunitetet rurale. Sipas Sallës, investimet në këtë drejtim jo vetëm rrisin konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në treg, por kontribuojnë edhe në frenimin e largimit të të rinjve nga zonat rurale, duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe biznesi.

Në përfundim të vizitës, ministri garantoi se Qeveria Shqiptare do të vijojë të mbështesë politikat që favorizojnë investimet në bujqësi, agropërpunim dhe agroturizëm, me synimin për të ndërtuar një ekonomi rurale më të fortë, më konkurruese dhe më të orientuar drejt produkteve me vlerë të shtuar, duke promovuar njëkohësisht cilësinë e produkteve Made in Albania në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME