HAGË, 15 shtator 2026 /Albania Express News/- Qindra mbështetës shqiptarë janë mbledhur pranë Gjykatës Speciale në Hagë, në pritje të shpalljes së aktgjykimit për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Të ardhur nga Kosova dhe vende të ndryshme të Europës, mbështetësit kanë udhëtuar drejt Hagës për të qenë të pranishëm në ditën e shpalljes së vendimit. Në mesin e tyre janë parë flamuj të UÇK-së, ndërsa pjesëmarrësit kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre për ish-drejtuesit e saj.
Në zonën përreth Gjykatës Speciale është shtuar edhe prania e forcave të policisë, ndërsa grumbullimi i mbështetësve pritet të vijojë gjatë orëve të para të mëngjesit.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Berhami, e cilësoi praninë e diasporës si një dëshmi të mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së.
“Mbështetja e diasporës shqiptare që kanë ardhur nga të gjithë bota është një mbështetje e madhe. Nesër besojmë që trupi gjykues do të korrigjojë gjithë këtë…”, tha ai.
Edhe përfaqësuesi i PDK-së, Murgim Lushtaku, tha se diaspora ka qenë gjithmonë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa procesin gjyqësor në Hagë e cilësoi si një proces që prek historinë e Kosovës.
“Diaspora gjithmonë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Në Hagë po gjykohet lufta e ish-UÇK-së, po gjykohet historia jonë. Gjithë bota e di që çlirimtarët kanë shpëtuar jetën e fëmijëve, grave dhe gjithë qytetarëve në Kosovë. Jemi shpresëplotë që çlirimtarët tanë do të kthehen në familjet e tyre”, u shpreh Lushtaku.
Ndërkohë, Ismail Tasholli, një prej organizatorëve të grupimit të mbështetësve në Hagë, tha se grumbullimi do të nisë që në orët e para të mëngjesit.
“Ka njerëz plot që do ta bëjmë orën e numërimit mbrapsht. Në mëngjes nis grumbullimi. Lejen formale deri në orën 15:00 e kemi në sheshin në Hagë. Do festojmë në Prishtinë”, deklaroi ai.
Mes të pranishmëve janë edhe familjarë të ish-krerëve të UÇK-së. Disa prej mbështetësve të ardhur nga Kosova janë paraqitur të veshur me uniforma të UÇK-së dhe kanë deklaruar se ndodhen në Hagë për të shprehur mbështetjen e tyre.
“Ne kemi ardhur për përkrahjen e ish-krerëve të UÇK-së. Ata s’kanë bërë krime. Ata duhet të lirohen”, thanë disa prej tyre.
Murat Xhafa, një prej organizatorëve të diasporës shqiptare në Hagë, tha se mbështetësit po e presin me emocion shpalljen e vendimit dhe shprehën bindjen e tyre për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.
“Emocion për ne se çlirimtarët janë të pafajshëm. Pjesa tjetër mbërrin edhe në mëngjes”, u shpreh Xhafa.
Pas një procesi të gjatë gjyqësor, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallin aktgjykimin e shkallës së parë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Sipas njoftimit përkatës, aktgjykimi pritet të shpallet më 16 shtator, në orën 10:00, në Hagë. Vendimi pritet të ndiqet me interes të lartë në Kosovë dhe në komunitetet shqiptare në diasporë.
Mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë në Hagë deri në momentin e shpalljes së aktgjykimit.







