Mazhoranca propozon ndryshime për pagat e gjyqtarëve, Aulona Bylykbashi: Trajtim financiar brenda kufijve kushtetues

TIRANË, 15 shtator 2026 /Albania Express News/- Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi sot projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nismë e deputetëve të Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli.

Gjatë prezantimit të nismës, deputetja Bylykbashi deklaroi se projektligji synon të adresojë formulën e pagës referuese bazë të magjistratëve, si dhe disa problematika që, sipas saj, kanë krijuar pabarazi brenda hierarkisë gjyqësore.

Sipas Bylykbashit, nisma synon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke garantuar trajtim financiar të magjistratëve brenda kufijve kushtetues dhe duke korrigjuar disa diferenca në sistem, duke mbajtur njëkohësisht në konsideratë qëndrueshmërinë e financave publike.

Ajo theksoi se Gjykata Kushtetuese i ka lënë Kuvendit detyrën për të përcaktuar formulën e pagës dhe nuk ka imponuar një formulë të vetme numerike.

“Zgjedhja e modelit është në diskrecionin e ligjbërësit, me kusht që të respektohen standardet kushtetuese dhe të mos çojë në një formulë tjetër që sjell ulje të pagesës”, u shpreh Bylykbashi.

Koeficienti i pagës referuese kalon nga 0,36 në 0,38%

Ndër ndryshimet kryesore të propozuara është rritja e koeficientit të pagës referuese bazë nga 0,36 në 0,38% të pagës së Presidentit të Republikës.

Sipas Bylykbashit, ky ndryshim rrit bazën mbi të cilën llogaritet struktura e pagës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjitha nivelet.

“Koeficienti 0,38 nuk është zgjedhur rastësisht, por vjen si rezultat i një vlerësimi që ka marrë parasysh, nga njëra anë, garancitë kushtetuese për trajtimin financiar të magjistratëve dhe përgjegjësinë e madhe që mbart funksioni i tyre, por nga ana tjetër edhe mundësitë reale financiare të shtetit”, deklaroi ajo.

Deputetja nënvizoi se formula duhet të respektojë pavarësinë dhe integritetin e gjyqtarëve, duke marrë njëkohësisht në konsideratë qëndrueshmërinë fiskale, prioritetet sociale dhe zhvillimin ekonomik.

Paga bruto dhe indeksimi

Bylykbashi sqaroi se paga bruto nuk përbëhet vetëm nga paga bazë, por përfshin edhe elementë të tjerë, përfshirë vjetërsinë në detyrë dhe shtesat ligjore sipas funksionit.

“Sipas llogaritjeve tona, në një shembull, paga bruto e një magjistrati të Shkallës së Parë do të arrijë afërsisht në 90% të pagës së Presidentit”, tha ajo.

Projektligji, sipas saj, ruan edhe mekanizmin e indeksimit periodik, me synim mbrojtjen e pagave të magjistratëve nga efektet e inflacionit dhe rritja e kostos së jetesës.

Ndryshime për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë

Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën e llogaritjes së shtesës për vjetërsi për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.

Bylykbashi argumentoi se gjyqtarët që kryejnë të njëjtin funksion mund të kenë paga të ndryshme për shkak të mënyrës se si u është llogaritur vjetërsia, në varësi të rrugës së tyre profesionale.

“Prandaj propozojmë një korrigjim të saj. Konkretisht, shtesa për vjetërsi për gjyqtarët e lartë të llogaritet 2% e pagës referuese bazë për çdo vit përvojë profesionale juridike, të njohur si kusht për emërimin, deri në maksimumin 25 vjet”, deklaroi ajo.

Projektligji parashikon gjithashtu shtrirjen e shtesës për vështirësi pune.

Efektet financiare dhe pagesat prapavepruese

Sipas të dhënave të paraqitura nga Bylykbashi, efekti financiar shtesë për periudhën 2023–2025 vlerësohet në rreth 1 miliard lekë, ndërsa për vitin 2026 në rreth 500 milionë lekë në vit.

Formula e re propozohet të njihet me efekte nga 1 prilli 2023. Detyrimet për periudhën e kaluar do të llogariten për çdo përfitues dhe do të shlyhen sipas afateve dhe mekanizmave që do të përcaktohen në ligj.

Në përfundim të diskutimeve, nisma u miratua në Komisionin e Ekonomisë me 8 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Nis puna për Bypass-in e Elbasanit, projekti që synon t’i japë fund trafikut të rënduar

ELBASAN, 15 shtator 2026 /Albania Express News/- Kush ka...

Mijëra shqiptarë në Hagë për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin: Mbështetësit mblidhen pak orë para vendimit

HAGË, 15 shtator 2026 /Albania Express News/- Qindra mbështetës...

Japonia thyen rekordin historik, mbi 100 mijë persona kanë kaluar moshën 100 vjeç – 88% janë gra

JAPONI ,15 shtator 2026 /Albania Express News/-Japonia ka shënuar...