BELSH ,22 prill 2026/Albania Express News/Në Bashkinë e Belshit u zhvillua një aktivitet i rëndësishëm dhe me vlera të veçanta në kuadër të Ditës së Tokës, duke bashkuar institucione, ekspertë dhe gjimnazistë dhe komunitetin lokal në një mesazh të përbashkët për mbrojtjen e mjedisit.
Ky organizim u realizua nga Shoqata e Resurseve Gjenetike të Bimëve, nën drejtimin e Profesor Doktor Fetah Elezi, me mbështetjen e Bashkisë Belsh. Aktiviteti u karakterizua nga një pjesëmarrje masive e gjimnazistëve të qytetit, si dhe të rinjve dhe fermerëve nga zona e Dumresë, duke e kthyer këtë ditë në një moment reflektimi dhe ndërgjegjësimi kolektiv.
Kryetari i Bashkisë së Belshit, z.Arif Tafani, në fjalën e tij falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit, ndërsa solli në vëmendje rëndësinë e 22 Prillit si Dita e Tokës, një ngjarje globale që prej vitit 1970 që synon të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e planetit. Ai theksoi se, ndonëse sfidat mjedisore janë gjithnjë në rritje nga ndryshimet klimatike, shpyllëzimi, urbanizimi dhe përdorimi i lëndëve djegëse fosile , shpesh njerëzit nuk e kuptojnë se edhe veprimet e përditshme ndikojnë drejtpërdrejt në këtë proces.
Në këtë kuadër, Tafani u bëri thirrje të rinjve të adoptojnë sjellje më të përgjegjshme ndaj mjedisit, duke theksuar disa hapa konkretë:
riciklimin e materialeve, përdorimin e produkteve të ricikluara, pjesëmarrjen në aksione pastrimi, ripërdorimin e çantave dhe shisheve, si dhe kultivimin e produkteve bujqësore në mënyrë të qëndrueshme.
Ai nënvizoi gjithashtu se komuniteti i Belshit ka dhënë një shembull pozitiv në mbrojtjen e natyrës, ku shpyllëzimi është frenuar dhe sipërfaqet e gjelbra janë shtuar ndjeshëm ndër vite. Zona është pasuruar me ullishte, agrume si portokalle e mandarina, shegë, pemë frutore dhe vreshta, duke dëshmuar për një lidhje të fortë mes komunitetit dhe tokës.
Nga ana e tij, Profesor Dr. Fetah Elezi përcolli një mesazh të qartë për dashurinë dhe kujdesin ndaj mjedisit, duke theksuar se ruajtja e biodiversitetit dhe e burimeve natyrore është një përgjegjësi e përbashkët.
Aktiviteti kulmoi me mesazhet e nxënësve të shkollave publike të Belshit, të cilët apeluan për më shumë ndërgjegjësim dhe veprim konkret në mbrojtje të natyrës. “Të promovojmë harmoninë midis natyrës dhe Tokës”, ishte thirrja e tyre, një mesazh i thjeshtë, por me peshë për të ardhmen e planetit.
Ky aktivitet konfirmoi edhe një herë se Belshi po ndërton një model pozitiv të bashkëpunimit mes institucioneve dhe komunitetit, duke e vendosur mbrojtjen e mjedisit në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm.


