BULQIZË ,03 gusht 2026/Albania Express News/-
Një operacion i suksesshëm shpëtimi është zhvilluar në Bulqizë, ku 7 qytetarë, të bllokuar në rrjedhën e lumit Drini i Zi, janë nxjerrë në siguri falë reagimit të shpejtë të Policisë së Shtetit, Emergjencave Civile dhe shërbimit zjarrfikës.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë u vunë menjëherë në lëvizje pasi morën një telefonatë nga një qytetar, i cili kërkoi ndihmë duke raportuar se ai dhe gjashtë familjarë të tij kishin mbetur të izoluar në vendin e quajtur “Ura e Gjoricës”, si pasojë e rritjes së menjëhershme të nivelit të ujit në lumin Drini i Zi.
Menjëherë pas sinjalizimit, në bashkëpunim me shërbimet e Emergjencave Civile të Prefekturës Dibër dhe ekipet zjarrfikëse, u organizua një operacion i koordinuar shpëtimi. Për shkak të kushteve të vështira dhe prurjeve të larta të lumit, evakuimi i qytetarëve u realizua me gomone, duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre të sigurt nga zona e rrezikut.
Fatmirësisht, të shtatë personat janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë pësuar lëndime.
Pas këtij rasti, Policia e Dibrës ka apeluar për kujdes të shtuar ndaj qytetarëve, duke i këshilluar të shmangin qëndrimin pranë lumenjve dhe zonave ujore gjatë periudhave kur niveli i ujit mund të rritet papritur. Gjithashtu, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që në çdo rast rreziku ose nevoje për ndihmë të njoftojnë menjëherë Policinë, për të mundësuar ndërhyrje sa më të shpejtë.

