Mariglen Disha,Rikonstruksioni i shkollës “Vilson Blloshmi” në Librazhd drejt përfundimit ,500 nxënës përfitojnë ambiente moderne

LIBRAZHD ,20 prill 2026/Albania Express News/Investimet në infrastrukturën arsimore vijojnë të mbeten në fokus të institucioneve vendore dhe qendrore. Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Vilson Blloshmi”, një nga institucionet më të rëndësishme arsimore në zonë.

Gjatë kësaj vizite, ai shoqërohej nga deputetët e Librazhdit ,Bora Muzhaqi dhe Olsi Komici, të cilët ndoqën nga afër progresin e punimeve dhe u njohën me fazat e realizimit të projektit.

Sipas Kryetarit të bashkisë së Librazhdit z.Mariglen Disha, ndërhyrja në këtë shkollë po ecën me ritme të kënaqshme dhe pritet të përfundojë së shpejti, duke u ofruar kushte tërësisht të reja për komunitetin arsimor. Projekti synon transformimin e plotë të ambienteve ekzistuese në hapësira moderne, funksionale dhe të sigurta, në përputhje me standardet bashkëkohore të mësimdhënies.

Nga ky investim do të përfitojnë rreth 500 nxënës dhe 38 mësues, të cilët shumë shpejt do të zhvillojnë procesin mësimor në kushte të përmirësuara ndjeshëm. Rikonstruksioni përfshin përmirësimin e klasave, ambienteve ndihmëse, si dhe rritjen e standardeve të sigurisë dhe komoditetit në shkollë.

Ky projekt është realizuar falë një bashkëfinancimi mes Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Librazhd, duke dëshmuar një bashkëpunim të qëndrueshëm institucional në funksion të rritjes së cilësisë në arsim.

Autoritetet vendore theksuan se investime të tilla janë thelbësore për krijimin e një mjedisi motivues për nxënësit dhe stafin pedagogjik, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e edukimit dhe zhvillimin e brezave të rinj.

Rikonstruksioni i shkollës “Vilson Blloshmi” konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës arsimore në bashkinë e Librazhdit, duke reflektuar angazhimin për të garantuar kushte dinjitoze dhe cilësore për çdo nxënës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME