TIRANË,3 qershor 2026/Albania Express News/Një kapitull i ri ka nisur për talentin Luis Hasa, i cili për herë të parë është bërë pjesë e Kombëtares shqiptare. Mesfushori i ri, që më parë ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të Italisë, ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, duke realizuar një ëndërr që e ka shoqëruar prej kohësh.
I emocionuar dhe krenar për këtë moment të veçantë, Hasa nuk i fshehu ndjenjat gjatë intervistës së dhënë për FSHF-në, teksa tregoi emocionet e para pas marrjes së ftesës për t’iu bashkuar kuqezinjve.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu sot. Është një emocion i madh të jem pjesë e Kombëtares. Kisha pasur kontakte edhe më herët me FSHF-në dhe para disa javësh erdhi ftesa në klub. Sapo e mora lajmin, telefonova menjëherë prindërit e mi. Ishte një moment shumë i veçantë për mua dhe familjen time”, u shpreh mesfushori.
Për Hasën, kalimi nga tifoz në futbollist të Kombëtares është një ndryshim i madh. Ai kujton se deri pak kohë më parë i ndiqte ndeshjet e Shqipërisë vetëm nga televizori ose nga tribuna, ndërsa tani ndodhet në të njëjtën dhomë zhveshjeje me futbollistët që admironte.
“Deri dje i shikoja vetëm në TV. Në ndeshjen e fundit isha në stadium si tifoz, ndërsa tani jam pjesë e grupit. Më kanë pritur shumë mirë. Disa lojtarë i njihja më parë, ndërsa me të tjerët u njoha këto ditë. Është një grup shumë i fortë dhe i bashkuar. Edhe trajnerin dhe stafin i njihja dhe që në ditën e parë më kanë bërë të ndihem si në shtëpi”, tha ai.
Mesfushori vlerësoi gjithashtu nivelin e Kombëtares shqiptare, duke theksuar progresin e madh të skuadrës gjatë viteve të fundit dhe paraqitjet dinjitoze në arenën ndërkombëtare.
“Skuadra është shumë e fortë. E kemi parë të luajë në Europian dhe të jetë pranë kualifikimit në Botëror. Nëse vazhdojmë të luajmë me të njëjtin shpirt dhe cilësi, rezultatet do të vijnë patjetër”, deklaroi Hasa.
Megjithëse është grumbullimi i tij i parë, futbollisti premton përkushtim maksimal dhe është gati të shfrytëzojë çdo mundësi që mund t’i jepet nga stafi teknik.
“Do të jap maksimumin në çdo stërvitje. Jam këtu për të mësuar dhe për të ndihmuar ekipin. Nëse më jepet mundësia të luaj, do të jem gati. Do të ishte një emocion i jashtëzakonshëm të zbres në fushë para tifozëve shqiptarë, sidomos duke ditur se prindërit e mi do të jenë në stadium për të më mbështetur”, u shpreh ai.
Hasa foli edhe për atmosferën e krijuar nga tifozët kuqezi, të cilët deri tani i ka admiruar vetëm nga ekrani.
“Publiku shqiptar është fantastik. E kam parë vetëm në televizor dhe atmosfera që krijon është e mrekullueshme. Edhe pse ndeshjet e ardhshme janë miqësore, ne do të japim gjithçka për fitore dhe për t’u përgatitur sa më mirë për sfidat e ardhshme në Ligën e Kombeve dhe objektivat e mëdha që kemi përpara.”
Me talentin, përkushtimin dhe entuziazmin që ka treguar që në ditët e para, Luis Hasa shihet si një nga elementët premtues të së ardhmes së Kombëtares shqiptare, ndërsa tifozët kuqezi presin me interes debutimin e tij me fanellën e Shqipërisë.

