Lindje e suksesshme e binjakëve pas fertilizimit in vitro, ekipet e “Koço Gliozhenit” dhe QSUT realizojnë ndërhyrje të rrallë që shpëtoi nënën dhe foshnjat

TIRANË ,02 gusht 2026/Albania Express News/-Një histori suksesi në sistemin shëndetësor shqiptar është shënuar së fundmi, ku bashkëpunimi mes ekipeve mjekësore të Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) bëri të mundur përfundimin me sukses të një rasti tepër kompleks, duke sjellë në jetë dy binjakë të shëndetshëm dhe duke garantuar njëkohësisht shëndetin e nënës.

Bëhet fjalë për një grua 40-vjeçare, e cila kishte arritur shtatzëninë binjake përmes fertilizimit in vitro (IVF). Në javën e 34-t të shtatzënisë, ajo u përball me një komplikacion të rrallë dhe kompleks të paretit abdominal, një situatë që kërkonte ndërhyrje të menjëhershme dhe një koordinim të ngushtë mes disa specialiteteve mjekësore.

Për shkak të natyrës së veçantë të rastit, u angazhua një ekip multidisiplinar, ku specialistët e obstetrikës, gjinekologjisë dhe kirurgjisë punuan së bashku për të hartuar strategjinë më të sigurt për nënën dhe foshnjat.

Ndërhyrja u realizua me sukses, duke kombinuar në të njëjtën seancë kirurgjikale lindjen e binjakëve dhe korrigjimin e problematikës së paretit abdominal. Ky bashkëpunim ndërinstitucional shmangu nevojën për ndërhyrje të ndara kirurgjikale dhe minimizoi rreziqet për pacienten.

Si rezultat i operacionit, dy foshnjat erdhën në jetë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa edhe nëna po rikuperohet me sukses dhe vijon të jetë në gjendje të mirë.

Ky rast konsiderohet një shembull i rëndësishëm i efikasitetit të punës në ekip dhe i vendimmarrjes multidisiplinare në trajtimin e rasteve të ndërlikuara, duke dëshmuar rëndësinë e koordinimit mes institucioneve shëndetësore për të garantuar kujdesin maksimal ndaj pacientëve.

Njëkohësisht, është shprehur mirënjohje dhe vlerësim për të gjithë mjekët, infermierët dhe profesionistët e shëndetësisë që kontribuan në këtë ndërhyrje të suksesshme, falë përkushtimit, profesionalizmit dhe bashkëpunimit të tyre.

Ky sukses përforcon mesazhin se kujdesi shëndetësor me pacientin në qendër, i mbështetur në ekipe të koordinuara dhe ekspertizë multidisiplinare, mund të japë rezultate të jashtëzakonshme, duke sjellë jetë, siguri dhe shpresë për familjet shqiptare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME