Laçi nderon bijtë e tij nëpër botë / Kryetarja e bashkisë Majlinda Cara: “Mirënjohje për mërgimtarët kurbinas”, sheshi “Gjin Pjetri” pushtohet nga festa, kënga dhe tradita

NGA IMER HYSA

LAÇ .12 gusht 2026/Albania Express News/-Sheshi “Gjin Pjetri” në Laç u kthye mbrëmjen e 10 gushtit në një skenë të madhe festive, ku qindra qytetarë, mërgimtarë të kthyer në vendlindje dhe vizitorë nga zonat përreth u bashkuan në një mbrëmje të veçantë kushtuar kulturës, traditës dhe lidhjes së fortë me vendlindjen.

Koncerti festiv “Festa e Qytetit”, tashmë një aktivitet i kthyer në traditë, u organizua në kuadër të Ditës së Respektit dhe Mirënjohjes për Mërgimtarët, që përkon me datën 10 gusht dhe është miratuar nga Këshilli i Bashkisë Kurbin.

Në qendër të këtij aktiviteti ishte mesazhi i mirënjohjes ndaj mijëra kurbinasve që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë, por që çdo verë rikthehen në vendlindje për të kaluar kohë me familjet, të afërmit dhe miqtë.

Majlinda Cara: Mërgimtarët janë pjesë e pandarë e Kurbin

Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, i dha një rëndësi të veçantë mesazhit të kësaj feste, duke e cilësuar atë si një traditë që synon të nderojë dhe të mbajë të fortë lidhjen e mërgimtarëve me vendlindjen.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Cara theksoi se kjo festë nuk është thjesht një aktivitet kulturor, por një moment simbolik për të shprehur respektin dhe mirënjohjen ndaj kurbinasve që jetojnë në vende të ndryshme të botës.

“Kjo festë e radhës është vazhdimësi e traditës së festimit të përvitshëm në nderim të emigrantëve kurbinas kudo nëpër botë”, u shpreh Majlinda Cara.

Për kryebashkiaken e Kurbin, rikthimi i mërgimtarëve në vendlindje gjatë verës është një moment i rëndësishëm për komunitetin, pasi qyteti dhe zonat përreth gjallërohen nga prania e tyre. Këto ditë shërbejnë edhe si një mundësi për të ruajtur lidhjet familjare, traditat dhe identitetin kulturor të komunitetit kurbinas.

Përmes organizimit të aktiviteteve të tilla, Bashkia Kurbin synon që mërgimtarët të ndihen të vlerësuar dhe pjesë e pandarë e jetës së komunitetit, pavarësisht distancës që i ndan nga vendlindja.

Një natë me këngë, valle dhe traditë

Programi artistik i mbrëmjes solli në skenë një kombinim të muzikës tradicionale dhe asaj moderne, duke përfshirë performanca të Ansamblit Folklorik “Gurra e Kurbinit”, nën udhëheqjen artistike të Altin Tomës dhe drejtimin artistik të Lad Carës.

Në koncert mori pjesë gjithashtu Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, duke i dhënë aktivitetit një dimension më të gjerë kulturor dhe artistik.

Publiku shijoi interpretimet e këngëtarëve kurbinas Kurt Lika, Mide Aliu dhe Halil Alijaj, ndërsa instrumentistët Altin Toma dhe Lionel Gjoka sollën në skenë performanca të veçanta.

Mbrëmja u pasurua edhe nga pjesëmarrja e artistëve të njohur të Ansamblit Kombëtar, si dhe këngëtarëve Ervin Bushati, Jozi dhe Fatima Ymeri, të cilët ndezën atmosferën me interpretimet e tyre.

Sheshi “Gjin Pjetri” vijoi të ishte i mbushur gjatë gjithë mbrëmjes, ndërsa këngët dhe vallet krijuan një atmosferë festive që bashkoi breza të ndryshëm të komunitetit.

Kurbin, një urë mes vendlindjes dhe diasporës

Për Bashkinë Kurbin, organizimi i kësaj feste është edhe një mënyrë për të forcuar marrëdhënien mes komunitetit që jeton në vend dhe atij që ka ndërtuar jetën jashtë Shqipërisë.

Mërgimtarët kurbinas janë prej vitesh pjesë e rëndësishme e jetës sociale dhe ekonomike të zonës, ndërsa kthimi i tyre gjatë verës sjell një gjallëri të veçantë në qytet dhe në njësitë administrative.

Nën drejtimin e kryetares së Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, aktiviteti është konceptuar si një moment bashkimi dhe falënderimi për të gjithë ata kurbinas që, edhe pse jetojnë larg, vijojnë ta ruajnë lidhjen me vendlindjen.

Mbrëmja festive vijoi deri në orët e vona të natës, duke i dhuruar publikut një “natë të bardhë” me muzikë, këngë, valle dhe emocione.

Në këtë mënyrë, 10 Gushti – Dita e Respektit dhe Mirënjohjes për Mërgimtarët synon të shndërrohet në një traditë të qëndrueshme të Kurbin, si një ditë ku vendlindja u thotë faleminderit bijve dhe bijave të saj që jetojnë në Shqipëri dhe në çdo cep të botës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME