Kur lumturia kushtonte 45 lekë : Një fotografi që ruan aromën e fëmijërisë dhe miqësisë së përjetshme

Nga Bujar Qesja

DURRËS ,18 kortik 2026/Albania Express News/-Ka fotografi që nuk mbajnë vetëm fytyra, por edhe jetë të tëra. Një prej tyre është kjo fotografi e vitit 1961, e realizuar në rrugën “Nail Kondi” në Durrës, ku janë fiksuar nëntë djem të vegjël, të bashkuar nga loja, buka e ndarë dhe një miqësi që koha nuk mundi ta zbehte.

Për autorin, kjo nuk është thjesht një fotografi e vjetër. Është një udhëtim drejt fëmijërisë, një rikthim në një kohë kur lumturia nuk matej me pasuri materiale, por me një top prej llastiku, me shokët e lagjes dhe me dyert që rrinin gjithmonë të hapura.

Në atë rrugicë të ngushtë nuk jetonin vetëm familje, por një komunitet i tërë. Fëmijët rriteshin bashkë, nënat kujdeseshin për të gjithë dhe një copë bukë ndahej pa u menduar në shumë pjesë. Askush nuk pyeste se kujt i përkiste diçka; gjithçka ishte “e jona”.

Në fotografi shfaqen Leonidha (Loli) Dedi, Ylli Qesja, Azis Domi, Prokop (Kopi) Jorgji, Ilia (Bebi) Miço, Bardhyl Arapi, Hamit Arapi, Fadil Arapi dhe Stilian Çullhaj. Sot, pesë prej tyre nuk jetojnë më, por kujtimi i tyre mbetet i gjallë në zemrat e shokëve që ndajnë ende të njëjtin mall për rrugicën ku u rritën.

Një vend të veçantë në rrëfim zë topi prej llastiku, prodhim i NISH Gomës së Durrësit, që kushtonte vetëm 45 lekë. Për djemtë e lagjes ai nuk ishte thjesht një lodër, por simboli i lumturisë. Mjaftonte të dilte në rrugë dhe, pa pasur nevojë për ftesa apo telefonata, të gjithë bashkoheshin për të luajtur deri në mbrëmje.

Autori ndalet me emocion te secili prej shokëve të fëmijërisë, duke sjellë kujtime për Leonidhën, që luante futboll me pasion pavarësisht një problemi në këmbë, për Prokopin e urtë, Ilian zemërbardhë, Bardhylin energjik që mbylli jetën në emigrim dhe Stilianin, buzëqeshja e të cilit mbeti e paharruar.

Edhe pse jeta i çoi në profesione dhe vende të ndryshme, askush nuk u largua kurrë nga fëmijëria e përbashkët. Kujtimet e rrugës “Nail Kondi” mbetën pika ku të gjithë rikthehen sa herë shohin këtë fotografi.

Autori shpreh bindjen se fotografia është realizuar nga mjeshtri Petraq Boshnjaku, i cili, sipas tij, nuk fotografonte vetëm fytyrat, por edhe shpirtin e njerëzve.

Pas 65 vitesh, fotografia mbetet e pandryshuar, ndërsa koha ka lënë gjurmët e saj mbi ata që dikur ishin fëmijë. Megjithatë, ajo vazhdon të ketë fuqinë t’i rikthejë të gjithë në ditët kur qeshnin pa halle, ndanin një copë bukë dhe ëndërronin me një top në këmbë.

Në fund të rrëfimit, Bujar Qesja e konsideron këtë fotografi si një monument të miqësisë dhe fëmijërisë, një dëshmi se njerëzit mund të largohen nga kjo botë, por mbeten përjetësisht të gjallë në kujtimet e atyre që i deshën.

Shënim: Fotografia është realizuar në vitin 1961 nga fotografi Petraq Boshnjaku. Në të janë fiksuar, në këmbë nga e majta: Ylli Qesja, Stilian Çullhaj (i ndjerë), Ilia “Bebi” Miço (i ndjerë) dhe Prokop “Kopi” Jorgji (i ndjerë). Ulur nga e majta: Azis Domi, Fadil Arapi, Leonidha “Loli” Dedi (i ndjerë), Bardhyl “Lylja” Arapi (i ndjerë) dhe Hamit Arapi.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME