Kuqezinjtë dominojnë Bjellorusinë dhe marrin 3 pikë të merituara

TIRANË, 26 shtator 2026 /Albania Express News/- Shqipëria e nis me fitore aventurën e saj në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë mposhtën 2-0 Bjellorusinë në “Air Albania”, në një sfidë të dominuar në pjesën më të madhe nga skuadra e trajnerit Rolando Maran.

Që nga minutat e para u pa një Shqipëri ndryshe, më agresive, më e shpejtë dhe me një qasje të qartë për të marrë kontrollin e lojës. Kuqezinjtë luajtën me ritëm, presing të lartë dhe qarkullim të shpejtë të topit, duke e vënë disa herë në vështirësi mbrojtjen kundërshtare.

Asllani hap serinë nga pika e bardhë

Ndeshja nisi me ritëm, me Shqipërinë që provoi të sulmonte që në minutat e para. Arbër Hoxha dhe Rey Manaj u shfaqën pranë zonës kundërshtare, ndërsa Bjellorusia pati një mundësi në minutat e para, por Etrit Berisha reagoi mirë.

Në minutën e 16-të, Ernest Muçi krosoi drejt Taulant Seferit, por goditja me kokë e sulmuesit nuk gjeti rrjetën.

Momenti vendimtar i pjesës së parë erdhi në minutën e 32-të. Berat Gjimshiti fitoi një 11-metërsh pas ndërhyrjes së Kontsevoit dhe, pas verifikimit nga VAR, Shqipëria fitoi të drejtën për të ekzekutuar penalltinë.

Rey Manaj ia la topin Kristjan Asllanit dhe mesfushori kuqezi tregoi qetësi, duke mposhtur portierin bjellorus dhe duke kaluar Shqipërinë në avantazh në minutën e 34-t.

Shqipëri 1-0 Bjellorusi.

Kuqezinjtë nuk u tërhoqën dhe vazhduan të kërkonin golin e dytë. Manaj pati një tjetër mundësi të mirë në minutën e 36-të, por nuk arriti të finalizonte siç duhet.

Dhe kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin minimal, erdhi goditja e dytë.

Muçi shfaq klasin

Në minutën e parë shtesë, Shqipëria ndërtoi një aksion të bukur, me Elseid Hysajn që shërbeu në mënyrë spektakolare për Ernest Muçin.

Sulmuesi kuqezi nuk gaboi në finalizim dhe me një goditje të zgjuar dyfishoi avantazhin.

45+1’ Shqipëri 2-0 Bjellorusi.

Një avantazh i merituar për kuqezinjtë, që e mbyllën pjesën e parë me dy gola dhe me kontrollin e lojës.

Shqipëria menaxhon dhe kërkon golin e tretë

Në pjesën e dytë, Bjellorusia u përpoq të reagojë, por Shqipëria vijoi të ishte skuadra më kërkuese.

Në minutën e 56-të, Seferi pati një mundësi të artë pas një shërbimi të mirë të Asllanit, por goditja e tij ishte e dobët.

Një minutë më vonë, miqtë iu afruan golit, por tentativa e Pecheninit përfundoi jashtë.

Në minutën e 64-t, Shqipëria ishte shumë pranë golit të tretë. Asllani krosoi në zonë dhe Rey Manaj goditi me kokë, por topi u përplas në shtyllë.

Maran nisi ndryshimet. Uzuni zëvendësoi Seferin, ndërsa më pas Daku dhe Mehmeti hynë në fushë në vend të Manajt dhe Muçit.

Edhe pse rezultati ishte në favor, Shqipëria nuk hoqi dorë nga sulmi. Muçi, Hoxha dhe Pilo provuan të rrezikonin portën kundërshtare, ndërsa në minutën e 77-të Asllani kërkoi edhe golin e dytë personal me një goditje nga distanca, por topi përfundoi në rrjetën e jashtme.

Në fund, kuqezinjtë administruan avantazhin dhe e mbyllën takimin me shifrat 2-0.

3 pikë dhe nisje pozitive

Kristjan Asllani nga pika e bardhë dhe Ernest Muçi me një finalizim të bukur i dhanë Shqipërisë fitoren në startin e Ligës së Kombeve.

Kuqezinjtë treguan një fytyrë më agresive dhe më dinamike, krijuan disa mundësi të tjera për shënim dhe, mbi të gjitha, morën tri pikët në një ndeshje ku kontrolluan pjesën më të madhe të lojës.

Me këtë fitore, Shqipëria e nis me këmbën e mbarë fushatën e saj, ndërsa Finlanda gjithashtu mori tri pikët pas fitores së thellë 7-0 ndaj San Marinos.

Shqipëri 2-0 Bjellorusi

⚽ 34’ Kristjan Asllani (11-m)

⚽ 45+1’ Ernest Muçi

90+3’ – Mbyllet ndeshja. Shqipëria merr fitoren e parë pas pesë ndeshjesh.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Rama për Sazanin dhe Zvërnecin: Projekte me potencial miliardash, por duhet të ruhet ekuilibri me mjedisin

TIRANË ,27 shtator 2026 /Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama,...

Masakër në një lokal në Afrikën e Jugut, 17 të vrarë dhe 15 të plagosur – policia në kërkim të 8 autorëve

JOHANESBURG, 27 shtator 2026 /Albania Express News/- Një sulm...

Rama mbërrin në Rinas në orën 13:00, burime qeveritare zbulojnë çfarë pritet të deklarojë nga salla VIP

TIRANË, 27 shtator 2026 /Albania Express News/- Kryeministri Edi...

Aksident tragjik në Maliq/ Po nxirrte rrobat nga bagazhi, makina rrëshqet dhe e zë poshtë, humb jetën 44-vjeçari

MALIQ ,27 shtator 2026 /Albania Express News/-Një ngjarje e...