VLORË, 5 qershor /Albania Express News/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Vlora se ishulli i Sazanit mbetet pronë e shtetit shqiptar dhe se çdo zhvillim në këtë zonë realizohet në partneritet me shtetin, pa cenuar pronësinë publike.
Duke marrë fjalën në aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Vlorë, Rama theksoi se Sazani është një aset shtetëror dhe jo objekt privatizimi.
“Sazani është i shqiptarëve dhe i shtetit shqiptar. Në këtë zhvillim, shteti shqiptar do të jetë ortak”, u shpreh Kryeministri.
Ai shtoi se proceset e negociimit për investimet strategjike janë zhvilluar në mënyrë institucionale dhe transparente.
“Po të ishim ne ata që shisnim Shqipërinë, do të ishte privatizuar Sazani. Sazanin kanë dashur dhe më parë ta bëjnë destinacion turistik edhe udhëheqës të tjerë, por ne nuk po bëjmë atë që bënë të tjerët, që ofruan Sazanin për ta privatizuar. Nëse unë do të isha tradhtari që po shes Shqipërinë, nuk do të kishte pasur fare negociata me përfaqësuesit e shtetit për mënyrën se si ndahet investimi dhe si ndahet puna”, deklaroi Rama.
Kryeministri nënvizoi se modeli i ndjekur në investimet strategjike nuk përfshin privatizimin e aseteve publike.
“”Shqipërinë 1 euro” nuk e kam shpikur unë, është një ligj që ekziston ende”, u shpreh ai.
Rama u ndal te debatet mbi emigracionin dhe punësimin, teksa theksoi se pretendimet për mungesë pune për shqiptarët për shkak të punonjësve të huaj nuk qëndrojnë.
“Po na vijnë indianët, pakistanezët do na marrin punën në hotele e restorante, thua se këta që i thonë këto ngelen te dyert e restoranteve për të kërkuar punë”, deklaroi Rama, teksa nënvizoi se, pagat në bregdet janë rritur ndjeshëm.
“Në restorantet e Vlorës sot pagat janë njësoj ose më të larta se në Greqi”, tha ai.
Duke u ndalur në faktin se Shqipëria është dëmtuar rëndë në të kaluarën nga mënyra se si janë trajtuar çështjet e pronësisë, kryeministri tha se, “Shqipëria është dhunuar shumë përpara se të më jepnit besimin për të drejtuar Partinë Socialiste. Shqipëria është dhunuar kur nxorën titujt e pronësisë nga kutitë metalike ku ruheshin dhe erdhën ca shqiptarë të çoroditur të viteve 1991-1992, që i bënë fije-fije letrat e pronarëve”, tha ai.

