NGA FATMIR POPJA
LIBRAZHD , 19 prill 2026/Albania Express News/Nëse ka një pasuri që Shqipëria e ka trashëguar nga qytetërimi antik dhe ende nuk e ka shfrytëzuar në potencialin e saj të plotë, ajo është pa diskutim Rruga Egnatia. Një arterie gjigante e botës së lashtë, një nga 12 rrugët më të famshme në historinë e njerëzimit, që lidhte Perëndimin me Lindjen, sot po jep sinjale të forta rikthimi ,pikërisht nga zemra e Shqipërisë, në fshatrat e Librazhdit.
Një rrugë që bashkoi qytetërime
E ndërtuar nga romakët për qëllime ushtarake dhe tregtare, Rruga Egnatia nisi nga Durrës dhe shtrihej deri në Stamboll, duke përshkuar territore të gjera të Ballkanit dhe duke lidhur brigjet e Adriatikut me ato të Egjeut dhe më tej me Azinë. Ajo ishte ishte një korridor i madh historik ku qarkullonin ushtri, tregtarë, ide, kultura dhe besime.
Në këtë rrugë kanë kaluar figura të mëdha të historisë si Julius Caesar, Augustus, Trajan apo Diocletian, duke e kthyer atë në një dëshmitare të heshtur të historisë botërore.
Lugina e Shkumbinit njihet si zemra shqiptare e rrugës Egnatia
Segmenti më i rëndësishëm i kësaj rruge gjurmët e të cilës ruhen ende mjaft mirë në Shqipëri kalon përgjatë luginës së lumit Shkumbin, duke përshkuar qytetin e Elbasanit dhe duke vijuar drejt Librazhd e më tej në Qafë Thanë.
Në këtë aks të kësaj rruge historike gjenden ende gjurmë të gjalla të antikitetit në fshatra si Xhyrë, Dardhë, Spathar, Babje, Mirakë dhe Polis ,zona ku kalldrëmet, urat, muret mbajtëse dhe rrënojat e stacioneve të dikurshme romake vazhdojnë të mbijetojnë mes harresës dhe kohës.
Këtu ndodheshin dikur “mansio” dhe “mutatio”, stacione ku udhëtarët pushonin , ushqeheshin e ndërronin kuajt. Fusha e Rafjes në Xhyrë dhe Hani i Hoxhës përbënin nyje të rëndësishme të kësaj rruge, duke dëshmuar për një jetë të zhvilluar ekonomike dhe sociale përgjatë saj.
Një thesar i harruar… deri më sot
Pavarësisht rëndësisë së jashtëzakonshme historike dhe kulturore, Rruga Egnatia në Shqipëri ka mbetur për dekada e braktisur, e dëmtuar , e neglizhuar për vlerat dhe trashëgiminë unike dhe pothuajse e panjohur për publikun e gjerë. Përpjekjet për ta rikthyer atë në vëmendje kanë qenë sporadike dhe pa një strategji afatgjatë.
Megjithatë, sikurse është shprehur poblikisht shpesh herë studiuesi Auron Tare, kjo rrugë ka potencial të jashtëzakonshëm për t’u kthyer në një destinacion turistik ndërkombëtar.
Rruga Egnatia përmbledh mbi 2700 vite histori të Mesdheut. Nëse do të ishte investuar seriozisht vite më parë, ajo do të vizitohej nga qindra mijë turistë të huaj çdo vit.
Auron Tare e ka krahasuar projektin e zhvillimit turistik të Rrugës Egnatia me modelin e Camino de Santiago, një nga itineraret më të famshme turistike dhe shpirtërore në botë, duke sugjeruar se një ringjallje e Rrugës Egnatia do të sillte një impakt të madh ekonomik për zonat ku ajo kalon.
Librazhdi jep sinjalin e kthesës
Shpresa për rikthimin e kësaj rruge legjendare në një destinacion të rëndësishëm duket se po vjen nga vetë komuniteti. Vitet e fundit, banorët e zonës dhe guidat lokale turistike në Librazhd kanë nisur të promovojnë segmentet e Egnatias, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj.
Këtë fundjavë, një grup të rinjsh dhe intelektualësh organizuan një tjetër guidë turistike përgjatë gjurmëve të kësaj rruge, në një nismë që synon jo vetëm promovimin, por edhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e saj.
Kësaj nisme iu bashkua edhe kryetari i bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, së bashku me strukturat lokale të turizmit dhe deputetin e kësaj zonë z.Olsi Komici duke dhënë një sinjal i qartë se institucionet po fillojnë ta shohin Egnatian si një aset strategjik për zhvillimin e turizmit.Kryebashkiaku Mariglen Disha duke vlerësuar poltencialet e jashtëzakonshme të turizmit malor të bashkisë së Librazhdit theksoi se Rruga Egnatia, e cila është një rrugë me 2700 vjet histori do ta kthejë Librazhdin dhe fshatrat e tij në qendër të hartës turistike botërore.
Rruga Egnatia një mundësi e artë për turizmin shqiptar
Sot, turistët ndërkombëtarë janë gjithnjë e më të interesuar për itinerare historike dhe përvoja autentike. Rrugë si Egnatia janë pikërisht ajo që kërkojnë ,Rruga Egnatia është histori, natyrë, kulturë dhe aventurë në një paketë të vetme.
Ringjallja e saj do të sillte:
• Zhvillim ekonomik për fshatrat e Librazhdit
• Hapje biznesesh të reja turistike
• Rritje të punësimit lokal
• Promovim ndërkombëtar të Shqipërisë
Për më tepër, duke qenë se kjo rrugë lidh disa shtete si Shqipëria, Italia ,Maqedonia e Veriut dhe Greqia, ajo mund të kthehet në një projekt rajonal bashkëpunimi dhe zhvillimi turistik.
Koha për të rikthyer një identitet historik
Rruga Egnatia nuk është vetëm një rrugë e vjetër , ajo është një identitet, një trashëgimi por edhe një mundësi e madhe zhvillimi ekonomik për zonat rurale të Librazhdit dhe jo vetëm. Ndërkohë që vendet fqinje kanë nisur ta ruajnë dhe promovojnë këtë pasuri, Shqipëria ka ende kohë të rikuperojë dhe të shndërrojë këtë trashëgimi në një motor zhvillimi.

Librazhdi duket se ka hedhur hapin e parë i cili duhet mbështetur nga të gjithë
Dhe ndoshta, shumë shpejt, ajo që sot është një rrugë e harruar, do të kthehet në një nga destinacionet më të kërkuara turistike në Europë ,aty ku historia dhe natyra ecin krah për krah, në gjurmët e Rrugës Egnatia , një prej rrugëve më të famshme të historisë së njerëzimit ku dhjetra e dhjetra kilometra të saj përshkojnë fshatrat e Librazhdit dhe një pjesë të madhe të Shqipërisë nga Durrësi deri në Qafë Thanë.


