MEMALIAJ , 31 korrik 2026/Albania Express News/-Kryetari i Bashkisë Memaliaj Albert Makaj ka reaguar publikisht kundër draftit të reformës së re administrativo-territoriale, i cili parashikon shkrirjen e kësaj bashkie. Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ai e cilëson propozimin si një padrejtësi ndaj qytetit dhe 53 fshatrave të bashkisë, duke theksuar se argumentet e paraqitura në dëgjesat institucionale nuk janë marrë në konsideratë.
Në reagimin e tij, kryebashkiaku bën me dije se ka kundërshtuar zyrtarisht projektin si në dëgjesën e zhvilluar në Gjirokastër, ashtu edhe në seancën dëgjimore në Kuvendin e Shqipërisë, por sipas tij, argumentet e paraqitura nuk janë reflektuar në vendimmarrje.
Ai nënvizon se Bashkia Memaliaj është e dyta në qarkun e Gjirokastrës për nga numri i banorëve dhe sipërfaqja territoriale, ndërsa kritikon mungesën e transparencës dhe të konsultimit publik me komunitetin vendas për një vendim që prek drejtpërdrejt të ardhmen e zonës.
Sipas kryebashkiakut, shkrirja e bashkisë do të sillte humbjen e identitetit, traditave dhe kulturës së Memaliajt, do të ngadalësonte zhvillimin ekonomik, do të nxiste më tej shpopullimin dhe do të binte në kundërshtim me frymën e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore, në një kohë kur Shqipëria synon integrimin në Bashkimin Evropian.
Në mesazhin e tij ai rendit edhe investimet dhe zhvillimet e viteve të fundit në bashki, duke përmendur përmirësimin e infrastrukturës rrugore, shtimin e aktiviteteve kulturore, artistike e sportive, rritjen e të ardhurave vendore dhe përmirësimin e menaxhimit të financave publike.
Kryebashkiaku shpreh gjithashtu kritika ndaj argumentit se Bashkia Memaliaj përbën barrë buxhetore, duke pyetur se për çfarë duhet të përdoren taksat e qytetarëve, nëse jo për zhvillimin e komuniteteve dhe garantimin e shërbimeve publike.
Në përfundim të reagimit, ai u bën thirrje banorëve të qytetit dhe të 53 fshatrave të bashkisë që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për mbrëmjen e së premtes, në orën 19:00, pranë Urës së Vjetër në hyrje të Memaliajt.
“Sot, më shumë se kurrë, në mbrojtje të Memaliajt”, shprehet ai, duke e cilësuar mobilizimin qytetar si një përpjekje për të mbrojtur të drejtën, identitetin dhe të ardhmen e komunitetit përballë reformës së propozuar administrativo-territoriale.

