ELBASAN ,02 gusht 2026/Albania Express News/-Në një deklaratë për mediat, kryetari i PD-së dega Elbasan, Alis Narazani ka folur lidhur me reformën e re territoriale për bashkimin e Bashkisë së Belshit, Cërrikut dhe Elbasanit.
Ai u shpreh se kjo nismë e mazhorancës nuk është një reformë në funksion të qytetarëve, por një lëvizje me prapavijë politike dhe elektorale. Narazani tha se, zgjerimi i bashkive nuk sjell më shumë shërbime dhe afërsi me qytetarët, por e largon më tej administratën nga nevojat e komuniteteve.
Kreu i PD-së në Elbasan argumentoi se një model i tillë bie ndesh me praktikat e vendeve evropiane, ku pushteti vendor organizohet në njësi më të vogla për t’u shërbyer më mirë qytetarëve.
Pjesë nga deklarata:
Partia Demokratike ka kundërshtuar propozimin për bashkimin e bashkive Cërrik dhe Belsh me Bashkinë e Elbasanit, duke e cilësuar këtë nismë jo si një reformë territoriale, por si një vendim me ndikim politik dhe elektoral.
Gjatë një deklarate publike, përfaqësues të degës së PD-së në Elbasan argumentuan se zgjerimi i bashkive nuk sjell përmirësim të shërbimeve, por largon më tej administratën nga qytetarët. Sipas tyre, nëse synimi do të ishte afrimi i shërbimeve, modeli duhet të ishte ai i njësive më të vogla vendore, duke marrë si shembull disa vende evropiane.
Sipas të dhënave të paraqitura nga selia blu, në vende si Franca, Austria, Spanja, Gjermania dhe Italia, bashkitë kanë një numër mesatar banorësh më të ulët krahasuar me strukturat e mëdha administrative.
Ndërkohë, Bashkia Elbasan aktualisht ka rreth 120 mijë banorë dhe, sipas PD-së, me bashkimin e propozuar mund të arrijë në rreth 200 mijë banorë. Opozita pretendon se ky zgjerim do të vështirësonte ofrimin e shërbimeve dhe do të largonte pushtetin vendor nga komunitetet.
Partia Demokratike ka deklaruar se do ta kundërshtojë këtë projekt me çdo mjet demokratik, duke argumentuar se një administratë që nuk arrin të përballojë nevojat e qytetarëve aktualë të Elbasanit, nuk mund t’u shërbejë më mirë edhe banorëve të Cërrikut dhe Belshit.

