KF Teuta në Lisbonë, pjesë e forumit ndërkombëtar TransferRoom LIVE – 316 klube nga 62 vende në një platformë të përbashkët

LISBONË /PORTUGALI / DURRËS , 11nëntor 2026 / Albania Express News /-Klubi i Futbollit Teuta vijon të zgjerojë horizontet e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke qenë pjesë e një prej aktiviteteve të rëndësishme profesionale në industrinë e futbollit. Drejtues të klubit durrsak kanë marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare TransferRoom LIVE Global, e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, ku u mblodhën përfaqësues të qindra klubeve dhe profesionistë të futbollit nga e gjithë bota.

KF Teuta u përfaqësua në këtë aktivitet nga Drejtori Sportiv, Renato Arapi, dhe Drejtori i Skautizmit, Mino Manoku, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me zhvillimet më të fundit në tregun ndërkombëtar të futbollit, si dhe të shkëmbejnë eksperienca me përfaqësues të klubeve dhe strukturave të ndryshme sportive.

Konferenca TransferRoom LIVE Global bëri bashkë 316 klube nga 62 vende dhe 86 liga, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme komunikimi dhe bashkëpunimi për profesionistët e këtij sporti.

Në qendër të diskutimeve ishin strategjitë e merkatos, identifikimi dhe zbulimi i talenteve të reja, proceset e transferimit të futbollistëve, si dhe mënyrat e ndërtimit të skuadrave konkurruese, në funksion të objektivave sportive afatshkurtra dhe afatgjata.

Përfaqësimi në një aktivitet të këtij niveli i jep KF Teutës mundësinë për të zgjeruar rrjetin e kontakteve profesionale, për të krijuar ura të reja bashkëpunimi me klube të huaja dhe për të përfituar nga praktikat bashkëkohore të menaxhimit dhe organizimit sportiv.

Në futbollin modern, ku merkatoja, skautizmi dhe planifikimi strategjik luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm, pjesëmarrja në platforma të tilla përbën një mundësi për shkëmbimin e informacionit dhe krijimin e kontakteve që mund të shërbejnë në zhvillimin e mëtejshëm të strukturave të klubit.

KF Teuta vijon kështu të investojë në forcimin e organizimit të saj sportiv, duke synuar të jetë pjesë aktive e zhvillimeve dhe rrjeteve profesionale të futbollit ndërkombëtar.

Pjesëmarrja e Renato Arapit dhe Mino Manokut në Lisbonë është një tjetër hap në drejtim të zgjerimit të bashkëpunimit dhe përmirësimit të proceseve të punës në strukturat sportive të klubit durrsak.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME