TIRANË , 11nëntor 2026 / Albania Express News /-Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka paralajmëruar ndryshime në mënyrën e kontrollit të produkteve ushqimore që hyjnë në Shqipëri, duke bërë të ditur se së shpejti inspektimet në 13 pikat doganore të vendit do të kryhen përmes një sistemi online.
Gjatë një interviste televizive, Sula u ndal te problematikat e konstatuara me importin e misrit nga Serbia, i cili përdorej për ushqimin e kafshëve dhe rezultonte me përmbajtje aflatoksine mbi normat e lejuara. Ai deklaroi se kontrollet do të digjitalizohen, duke shmangur procedurat e deritanishme me dokumentacion fizik dhe duke garantuar shkëmbim të menjëhershëm të informacionit mes institucioneve përgjegjëse.
“Shumë shpejt, në 13 pikat doganore të Shqipërisë, nuk do të kemi më inspektim që bëhet me blloqe në dorë pa informacion, por do të jetë inspektim online nëpërmjet sistemit, ku informacioni vjen online në Inspektorat edhe në AKU”, deklaroi Sula.
Nëntë inspektorë të shkarkuar pas problematikave në Hanin e Hotit
Kryeinspektori bëri të ditur se problematikat me misrin e importuar nga Serbia janë konstatuar gjatë muajit mars të këtij viti. Sipas tij, pas marrjes së informacionit për situatën në pikën doganore të Hanit të Hotit, janë marrë masa administrative ndaj nëntë inspektorëve.
“Menjëherë sapo jam informuar, kam marrë masa dhe, së bashku me stafin tim, kam shkarkuar nëntë inspektorë të pikës doganore të Hanit të Hotit”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Sula konfirmoi se janë bllokuar edhe dy subjekte që eksportojnë misër, si pjesë e masave të ndërmarra për të parandaluar futjen në treg të produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë ushqimore.
105.6 tonë misër të bllokuar, mbi 51 tonë të asgjësuar
Sipas të dhënave të bëra publike nga Kryeinspektori i Përgjithshëm, gjatë vitit 2026 janë kryer 3504 kontrolle për importet e ushqimit për kafshë, si dhe 54 kontrolle në terren në subjektet që importojnë dhe tregtojnë këto produkte.
Nga 53 mostrat e analizuara për praninë e aflatoksinës, janë evidentuar raste jo konforme, me përmbajtje mbi kufijtë e lejuar.
Si rezultat i kontrolleve:
- 105.6 tonë misër për ushqimin e kafshëve janë bllokuar.
- 51.3 tonë misër janë asgjësuar.
- 54.3 tonë të tjera vijojnë të jenë të bllokuara në proces asgjësimi.
Sula: Situata po përmirësohet, por nuk kemi arritur standardet europiane
Duke folur për sigurinë ushqimore, Sula pranoi se ka ende problematika dhe se institucionet nuk kanë arritur nivelin e standardeve europiane, por theksoi se janë ndërmarrë hapa për ndryshimin e situatës.
“Nuk pretendoj se kemi bërë mrekulli, nuk pretendoj se kemi arritur standardet europiane, por rruga është një rrugë e nisur. Ju siguroj qytetarët se nga dita në ditë, nga java në javë dhe nga muaji në muaj, situata po përmirësohet”, deklaroi ai.
Digjitalizimi i kontrolleve në pikat doganore synon të rrisë transparencën, përgjegjshmërinë dhe koordinimin institucional, në një sektor që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorëve shqiptarë.

