Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka vlerësuar angazhimin dhe performancën e të rinjve në dy çerekfinalet e para të Kampionatit të Debatit mes gjimnazeve të qytetit. “Krenar për të rinjtë tanë që dinë të argumentojnë, të shprehin mendimin e tyre dhe të respektojnë mendimin ndryshe”, shkruan ai në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook.
ELBASAN , 10 nëntor 2026 / Albania Express News /-Kampionati i Debatit të Gjimnazistëve – Elbasan 2026 ka nisur me përballje interesante mes shkollave të mesme të qytetit, duke vënë në qendër mendimin kritik, aftësitë argumentuese dhe kulturën e dialogut te brezi i ri.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka qenë i pranishëm në dy çerekfinalet e para, ku ka përshëndetur nxënësit pjesëmarrës dhe ka ndjekur nga afër këtë aktivitet, i cili i jep hapësirë shprehjes së lirë të mendimit dhe përballjes së ideve përmes argumenteve.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Llatja ka shprehur kënaqësinë për energjinë dhe nivelin e diskutimeve të zhvilluara nga gjimnazistët, duke vënë theksin te rëndësia e edukimit të të rinjve me kulturën e debatit dhe respektin për mendimin ndryshe.

“Krenar për të rinjtë tanë që dinë të argumentojnë, të shprehin mendimin e tyre dhe të respektojnë mendimin ndryshe!”, shprehet kryebashkiaku, ndërsa u uron suksese pjesëmarrësve në vijim të kampionatit.
Dy gjimnazet e para që sigurojnë gjysmëfinalet
Dita e parë e kampionatit u zhvillua me dy përballje çerekfinale, ku katër gjimnaze të Elbasanit garuan për një vend në fazën gjysmëfinale.

Në përballjen e parë, gjimnazi “Kostandin Kristoforidhi” siguroi kualifikimin përballë gjimnazit “Dhaskal Todri”, me rezultatin 79.3 pikë kundrejt 73.3 pikëve.
Në duelin e dytë, gjimnazi “Luigj Gurakuqi” triumfoi ndaj gjimnazit “Mahir Domi”, duke grumbulluar 77.3 pikë, ndërsa kundërshtari u vlerësua me 69 pikë.

Kështu, “Kostandin Kristoforidhi” dhe “Luigj Gurakuqi” janë dy shkollat e para që sigurojnë një vend në gjysmëfinalet e Kampionatit të Debatit – Elbasan 2026.
Juria vlerësoi argumentet dhe cilësinë e komunikimit
Një rol të rëndësishëm në këtë aktivitet ka pasur edhe juria, e përbërë nga përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe arsimit.

Kryetar i jurisë është gazetari Fatmir Popja, gazetar i News 24 dhe drejtor i përgjithshëm i Albania Express News. Në përbërje të saj janë gjithashtu Arian Çala, drejtor ekzekutiv i organizatës “Tjetër Vizion”, dhe Marjana Gjoci, përfaqësuese e Zyrës Vendore të Arsimit Elbasan.
Përballjet janë moderuar nga Antonio Lushi.
Vlerësimi i ekipeve është mbështetur në cilësinë e argumenteve, koherencën logjike, aftësitë e komunikimit dhe respektimin e kundërshtarit, duke mos u bazuar te bindjet personale të pjesëmarrësve, por te mënyra se si ata mbrojnë qëndrimet e tyre përmes fakteve dhe arsyetimit.

Kampionati organizohet nga Sektori i Rinisë dhe Sporteve i Bashkisë Elbasan, në bashkëpunim me Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar.
Gara do të vijojë me përballjet e tjera çerekfinale, nga të cilat do të përcaktohen ekipet që do të avancojnë drejt gjysmëfinaleve dhe finales së madhe, ku do të shpallet shkolla kampione e debatit për vitin 2026.
Përtej rezultateve dhe garës mes shkollave, ky aktivitet synon të kultivojë te të rinjtë aftësinë për të menduar në mënyrë kritike, për të komunikuar me argumente dhe për të pranuar këndvështrime të ndryshme.
Rinia debaton, idetë përballen dhe demokracia merr jetë përmes dialogut!


